Nuk ka alarm për pushimet. Agjencitë: Shtyrje, por jo anulim të prenotimeve në Turqi

16/07/2016 00:00

Për të gjithë ata që kanë planifikuar pushimet e tyre në Turqi, në 15 ditëshin e dytë të korrikut, nuk ka asgjë për t’u shqetësuar. Këtë e konfirmojnë agjencitë turistike, pavarësisht kaosit dhe situatës së paqartë në Turqi.

“Në momentin e parë pati një lloj pasigurie, por tashmë resortet janë të qeta dhe jeta vazhdon normalisht. 20 persona kanë anuluar datën, por anulime nuk ka pasur”, shprehet Sava Bardhi, presidente e një agjencie turistike.

“Mbrëmë janë nisur dy avionë, nuk ka pasur anulime. Besoj se situata do të normalizohet në periudhën që ka mbetur të sezonit veror”, thotë Besnik Vathi, administrator i një tjetër agjencie turistike.

Asgjë nuk ka ndryshuar për ata që kanë zgjedhur Turqinë si destinacion të tyre, madje për shkak të situatës së tensionuar mes Turqisë dhe Rusisë, sot agjencitë turistike kanë oferta tërheqëse për shqiptarët, deri në 40% ulje për resortet luksoze.

“Çmimet kanë qenë deri në 40% ulje për shqiptarët dhe kjo ka bërë që të rritet numri i shqiptarëve që kanë zgjedhur Turqinë si destinancion këtë vit”, thotë Vathi.

Edhe për 2016, Turqia mbetet destinacioni kryesor për pushuesit shqiptarë duke shënuar edhe një rritje me 20% në krahasim me një vit më parë.

“Edhe këtë vit kemi pasur një rritje me 20% të numrit të prenotimeve. Raporti cilësi-çmim është ai që përcakton dhe faktin që shqiptarët vazhdojnë ta zgjedhin Turqinë”, thotë Sava Bardhi.

Pas Turqisë, shqiptarët kanë Greqinë dhe Malin e Zi si zgjedhje të dytë.

Top Channel