E shtunë “Facebook”-u, Rama i shkruan Bashës për reformën, i përgjigjet kreu i PD

16/07/2015 00:00

Përpjekja e dytë radhazi, e Edi Ramës që të bindë kreun e opozitës Lulzim Basha për të bërë një propozim të ri për reformën në drejtësi  ishte një letër e hapur në “Facebook”.

Gjuha e përdorur ishte serioze, pa shaka, e ndryshme nga deklarata e së premtes pasdite.

Për të treguar rëndësinë e reformës në drejtësi, Kryeministri përmend së pari angazhimin amerikan, që mbërriti deri tek deklarata e ambasadorit Lu që në rast moskompromisi Rama dhe Basha të mbylleshin në një dhomë së bashku, përjetë.

“Një propozim i tillë e shpreh qartë, përmasën e pazakonshme të frustrimit të aleatit tonë strategjik, SHBA, në kushtet e ngërçit ku ndodhet procesi, teksa ora e të vërtetës po afron. Por po ashtu, ky propozim nxjerr në pah më shumë se njëqind deklarata zyrtare, se çfarë rëndësie madhore ka për Shtetet e Bashkuara, kjo reformë në drejtësi në një vend aleat si Shqipëria; ku askush nuk do të donte të përballej nesër me regresin shqetësues që mosvotimi i reformës do të sillte në disa plane themelore”, shkruan Rama.

Edi Rama shikon frustim edhe nga partneri më i madh eurpian, Gjermania, një zyrtar i lartë i të cilës bëri përgjegjëse opozitën për mungesën e kompromis.

“Eksperienca ime po besoj edhe e Juaja, nuk e njeh një rast të ngjashëm, kur një diplomat, i ardhur posaçërisht për një çështje politike në Tiranë, të flasë në emër të një qeverie (e të kujt qeverie se!) dhe të kritikojë pa asnjë rezervë opozitën”, shkruan Kryeministri.

Duke i kujtuar kreut të opozitës së partnerët e kanë rrëzuar publikisht propozimin e saj të fundit, kryeministri thotë se mbetet me padurim në pritje të një reagimi konstruktiv, të pranuar nga ndërkombëtarët, për ta votuar atë të pandryshuar në Parlament. Sipas Edi Ramës, ky është një shans për të shpëtuar vendin nga njollosja e pashmangshme dhe nga rreziku real i regresit demokratik, në rast dështimi.

Përgjigja e Lulzim Bashës ishte e shkurtër.

“Zoti Rama, lëri letrat e hapura dhe shfaqjet publike. Reforma në drejtësi kërkon seriozitet dhe impenjim, jo tallje e as manovra politike. Propozimi ynë bazohet 100% tek rekomandimet e Venecias të cilat Partia Demokratike dhe Partia Socialiste i kanë pranuar si udhërrëfyesin e vetëm”, shkruan kreu i PD.

Lulzim Basha i kërkoi Edi Ramës të autorizojë negociatorët që të rikthehen në negociata, duke lënë të kuptohet qartë se nuk ishte në favor të një takimi me kryeministrin Rama, siç i sfidoi të premten ambasadori amerikan. 

Top Channel