Kombëtaret, sa shumë ndryshime në pankina

16/07/2015 00:00

Viti 2016 mund të konsiderohet si ai i ndryshimeve të rëndësishme te skuadrat kombëtare, jo vetëm europiane, por edhe ato të  Amerikës Latine. Kështu 9 teknikë të kombëtareve pjesëmarrëse në Euro 2016 janë larguar nga postet e tyre dhe një pjesë e mirë e këtyre kombëtareve nuk e kanë gjetur ende trajnerin e ri.

Italia është një prej skluadrave që bëri ndryshime në pankinë, pasi Antonio Conte la “të kaltrit” për të marrë drejtimin e Chelseat. Por Italia pati avantazhin se Conte ia bëri të ditur herët vendimin Federatës, kështu që kjo e fundit lëvizi për të gjetur pasuesin e tij që është Giampiero Ventura.

Edhe te Spanja imagjinohej një largim i Del Boskes në fund të turneut, por iberikët ende nuk e kanë përcaktuar zëvendësuesin e tij. Në vështirësi është edhe Federata Angleze e futbollit që nuk po di nga t’ia nisë pas dështimit të Roi Hodgson.

Por tronditja e fundit e futbollit europian vjen nga Belgjika, Federata e Futbollit të së cilës e shkarkoi trajnerin Vilmots. Ky i fundit kishte në dispozicion një skuadër me shumë talente në përbërje dhe një  rrugëtim drejt finales së Europianit jo shumë të vështirë. Por skuadra e Red Devils u eliminua në çerekfinale nga Uellsi.

Ndryshime pësoi edhe Rumania, drejtimi i së cilës iu besua gjermanit Cristof Daum, ndërkohë që lëvizja më e fundit erdhi nga Ukraina. Federata e futbollit të këtij vendi, vuri bast për Andrij Shevchenkon, i cili do të ketë përkrah tij edhe dyshen Tassoti-Maldera. 

Rusia, që do të presë botërorin 2018 prano dorëheqjen e Slutskit dhe tani i duhet të nisë kërkimet për zëvendësuesin e tij.

Tronditje pankinash patën edhe përfaqësueset e Amerikës Latine. Carlos Dunga u shkarkua nga drejtimi i përfaqësueses braziliane, ndërsa Gerardo Martino dha dorëheqjen nga stoli i Argjentinës dhe kjo jo aq për humbjen ne finalen e Copa America Centenario, sesa për mungesën e futbollistëve në dispozicion për Lojërat Olimpike.

Ndërsa te Uruguaji, Oskar Tabares ka ndërmarrë një sfidë akoma më të rëndësishme, luftën kundër sëmundjes që e ka prekur.

Top Channel