Sulmi në Nice, ISIS merr përsipër autorësinë

16/07/2016 00:00

ISIS-i ka marrë përgjegjësinë e sulmit terrorist të ndërmarrë në qytetin e Nices, ku gjetën vdekjen 84 persona dhe dhjetra të tjera u plagosën, një pjesë e të cilëve në gjendje kritike për jetën.

Shteti Islamik ka përshëndetur përmes rrjeteve sociale sulmin dhe si gjithmonë ka kërcënuar me të tjera që do ta pasojnë këtë.

Ky pretendim i ekstremistëve vendos në pikëpyetje deklaratat e autoriteteve franceze, që deri më tani e kanë patur të vështirë të gjejnë një lidhje mes autorit të sulmit dhe ISIS-it.

Por çfarë ishte ai që gjunjëzoi vendin në fund të kremtimit të festës së Bastijes? Nje sulm i koordinuar? Akt terrorist apo akt që erdhi si pasojë e çrregullimeve mendore të Mohamed Lahauaiej Bouhlel? 31-vjeçari, i lindur në Tunizi dhe me shtetësi franceze, u identifikua nga autoritetet si shoferi i kamionit të mbushur me armë dhe lëndë eksplozive, që në fund gjeti vdekjen pas ekzekutimit nga policia.

Hetimet e deritanishme tregojnë se ai nuk kishte lidhje me celula terroriste, por menyra e organizimit të sulmit në Bulevardin e Nices lë vend të madh për dyshime. Babai i tre fëmijëve, ai ishte divorcuar me bashkëshorten, e cila po merret në pyetja. 

Mohamed ishte një emër i njohur për policinë, pasi ai ishte dënuar për krime të vogla dhe dhunë. Njerëzit që jetonin pranë tij e përshkruajnë si njeri të frikshëm që rrinte gjithmonë vetëm dhe aspak normal.

Top Channel