United, 126 mln euro për Paul Pogba

16/07/2016 00:00

Në Angli janë të sigurtë, brenda pak ditësh Paul Pogba do të riveshë fanelën e Manchester United.

Tabloidi “The Sun” shkruan se agjenti i mesfushorit të Juventusit ka gjetur marrëveshjen me “Djajtë e Kuq”, në bazë të së cilës bardhezinjtë do të përfitonin 126 milionë euro, ndërsa Pogba një pagë të majme prej 14 milionë eurosh në vit.

Aktualisht Pogba ndodhet me pushime në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe “The Sun” shkruan se me t’u kthyer prej andej, ndalesa e tij nuk do të jetë Torino, por Manchesteri për të kryer vizitat mjekësore dhe për të nënshkruar kontratën milionerëshe.

Një ditë më parë, në një intervistë për ESPN, mesfushori francez e përshkroi United si “familjen e tij të parë”.

Për momentin nuk ka asgjë zyrtare, por nëse do të realizohej në këto shifra, kjo transfertë do të ishte më e shtrenjta në historinë e futbollit duke lënë pas Gareth Bale, që ka kaluar nga Totenhem tek Reali për 100 milionë euro dhe Cristiano Ronaldo nga Manchester po tek Reali për 94 milionë.

Top Channel