Sulmi në Nice, ndalohen katër persona

16/07/2016 00:00

Autoritetet franceze kanë ndaluar katër persona të dyshuar si të lidhur me autorin e masakrës së ndodhur në Nice, ku 84 persona gjetën vdekjen dhe dhjetra të tjerë u plagosën.

Identiteti dhe shtetësia e të ndaluarve nuk bëhet i ditur dhe as roli i tij në sulmin tragjik të ndërmarrë në Ditën Kombëtare të Francës.

Autori i sulmit, tuniziani Mohamed Lahouaiej Bouhlel, 31 vjeç dhe lindur në Susa të Tunizisë, banonte prej vitesh në qytetin ku kreu masakrën dhe zotëronte një pasaportë franceze.

Autoritetet thonë se në dosjen e tij ka disa ndalime dhe dënime për krime të rëndomta, vjedhje apo grabitje, krime këto që nuk futen në kategorinë e atyre që mund të tërheqin vëmendjen e shërbimeve të inteligjencës.

Autori është identifikuar falë gjetjes në kamionin e vdekjes të disa mjeteve identifikuese, përfshirë këtu një patentë, një kartë identiteti dhe një kartë bankare. Pas kësaj, hapi i parë i hetuesve francezë ka qenë banesa e 31-vjeçarit në përpjekje për të zbuluar nëse ai ka patur bashkëpunëtorë apo ka vepruar i vetëm në masakrën që u mori jetën 84 personave.

Ndërkohë, pas sulmeve është rritur gatishmëria e autoriteteve të sigurisë në pjesën më të madhe të vendeve të Europës.

Top Channel