Grusht shteti në Turqi, Ushtria merr nën kontroll pushtetin

15/07/2016 00:00

Mbrëmja e së premtes e gjeti Turqinë me xhandarmërinë e zbritur në Ankara dhe Stamboll për të realizuar atë që nuk e kanë çuar dot deri në fund në disa tentativa të mëparshme: grushtin e shtetit. Ushtria thotë se ka marrë në duar kontrollin e plotë të vendit, ndërkohë që urat e Bosforit dhe Sulltanahmet janë mbyllur pas fluturimit të avionëve ushtarakë shumë ulët në të dyja qytetet.

Po ashtu, në Ankara janë raportuar të shtëna me armë zjarri. Mediat vendase dhe ato të huaja flasin se janë marrë pengje zyrtarë të lartë, ndër të cilët gjenerali më i lartë i vendit. Ushtria thotë se kërkon të rivendosë demokracinë në vend dhe të mbrojë të drejtat e njeriut duke mbajtur si prioritet forcën e ligjit.

Po ashtu në deklaratën e tyre, Ushtria tha se do të ruajë relata të mira me fqinjët. I pari që reagoi ishte kryeministri i cili nuk e quajti atë grusht shteti por e cilësoi si një veprim ilegal të një grupi ushtarak. Pas tij, reagoi Presidenti Rexhep Tajip Erdogan, i cili tha se pas këtyre zhvillimeve është dora e Fetullah Gulen, armikut i tij i përbetuar.

Presidenti tha se rrjeti i tij i drejtuar nga Pesilvania në SHBA ku Gylen jeton, po përpiqet të organizojë grusht shteti nëpërmjet një pakice brenda Ushtrisë. “Gylenistët -tha ai- kanë lënë të nënkuptohet diçka muajt e fundi”.

Erdogan deklaroi se e ka situatën nën kontroll dhe do të dënojë organizatorët, të cilët do të paguajnë një çmim të rëndë. Sipas tij, gjithçka do të kalojë shumë shpejt. Ai u ka bere thirrje njerëzve që të dalin në rruge dhe të protestojnë kundër grushtit të shtetit. Dhe mbështetësit e tij dolën në rrugë.

Trafiku dhe lëvizjet nëpër qytet janë ndaluar. Po ashtu të gjitha fluturimet në aeroporte janë anuluar. Policia ka stacionuar tanke në Ankara dhe Stamboll, pasi sikurse deklaroi kryeministri, forcës do t’i përgjigjemi me forcë.

FOTO GALERI
1/6

Top Channel