Trump zgjedh zëvendësin, guvernatorin e Indianës Pence

15/07/2016 00:00

Donald Trump ka zgjedhur krahun e tij të djathtë në rrugëtimin presidencial dhe ai është Mike Pence. Guvernatori i Indianës pritet të marrë rolin e zëvendëspresidentit, sigurisht nëse manjati i pasurive do të zgjidhet president.

Para kësaj oferte, Pence po rikandidonte për t’u rizgjedhur si guvernator në Indiana, por e tërhoqi kandidaturën e tij kur pranoi të bëhet pjesë e ekipit të Trumpit, pasi ligji në Indiana e ndalon kandidimin në dy poste njëherazi.

Nëse Pence nuk do ta pranonte këtë ofertë, në fakt Trump nuk kishte shumë mundësi zgjedhjeje. Ekipi i tij thotë se lista për zv.president ishte e kufizuar ndërmjet guvernatorit të New Jerseyt, Chris Christie, dhe republikanit Newt Gingrich.

Donald Trump dhe Mike Pence testuan alkiminë e bashkëpunimit në ekip këtë muaj, ndërsa luanin golf në New Jersey, si dhe në shtëpinë e guvernatorit në Indiana. Trump tha se ishte i habitur nga qetësia e Mike Pence, edhe pse më herët në raundet e zgjedhjeve primare ky i fundit ka qenë përkrahës i Ted Cruz, senatorit të Teksasit.

Trump e njoftoi këtë zhvillim nëpërmjet një statusi në “Twitter”, duke e shtyrë konferencën për shtyp pas tragjedisë së Nisës.

Top Channel