PD: Nuland pranoi, “Ndërkombëtarët s’mund të kenë rol ekzekutiv”

15/07/2016 00:00

Në një reagim të orëve të mbrëmjes në rrjetin social “Facebook”, nënkryetari i Komisionit të posaçëm për Reformën në Drejtësi, Oerd Bylykbashi pretendon se kryeministri Rama po gënjen shqiptarët mbi atë se çfarë ka kërkuar ndihmës-sekretarja amerikane e Shtetit, Victoria Nuland, ndaj Bashës në takimin e saj të para pak ditëve.

Sipas tij, Nuland, pasi nënvizoi se ndërkombëtarët nuk mund të kenë rol ekzekutiv, i kërkoi kreut të PD që të bënte propozime për rolin e vëzhguesve ndërkombëtarë në përputhje me rekomandimin 88.

“Ditën e martë në mbrëmje, PD dërgoi propozimin e saj. Kujt i duket kjo si “Po” ose “Jo”, le të kthehet në klasë të parë, ose të bëjë një ekzaminim të koshiencës.”, shkruan ndër të tjera nënkryetari i Komisionit të Posaçëm për Reformën në Drejtësi, Oerd Bylykbashi

Postimi i plotë i Bylykbashit në Facebook:
Kam ndjekur me vëmendje sesi Rama ka mbjellë me tamtamet e tij mediatike apo edhe të tjerë tamtame në politike apo analitikë, gënjeshtrën se znj. Nuland ka kërkuar vetëm një “Po” ose një “Jo” nga z. Basha.

Duke qenë se unë kam qenë aty dhe s’luaj me fjalët, më vjen të qesh me këtë tentativë mjerane për të luajtur me gënjeshtra për gjëra kaq serioze. Por e meritojnë një sqarim shqiptarët që keqinformojnë këta.

Në atë takim, znj. Nuland paraqiti atë që ajo e cilësoi si propozimin hibrid të ambasadorëve Lu dhe Vlahutin bazuar mbi qëndrimet e palëve, pa marrë autorësi. Ajo shprehu kundërshtimin për rolin e Gjykatës Kushtetuese, si organi që do të bënte “vetting”-un e kandidatëve që do të bëjnë skanimin dhe vlerësimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve.

Z. Basha shprehu qëndrimin e opozitës që roli i vëzhguesve ndërkombëtarë të jetë plotësisht në përputhje me rekomandimin 88 të Komisionit të Venecias, sepse roli i propozuar kishte kompetenca vendimmarrëse.

Z. Basha pranoi të rishikohej roli i Gjykatës Kushtetuese për të eliminuar konfliktin e interesit. Sigurisht, opozita nuk ka asnjë tagër t’i mohojë kompetencën e shqyrtimit të shkeljes së të drejtave të njeriut kësaj gjykate.

Znj. Nuland, pasi nënvizoi se ndërkombëtarët nuk mund të kenë rol ekzekutiv, i kërkoi z. Basha që të bënte propozime për rolin e vëzhguesve ndërkombëtarë në përputhje me rekomandimin 88. Basha premtoi që brenda ditës së martë, PD-ja do të ofronte zgjedhjen e saj bazuar mbi propozimin hibrid të ambasadorëve. Dhe kështu bëmë. Ditën e martë në mbrëmje, PD dërgoi propozimin e saj. Kujt i duket kjo si “Po” ose “Jo”, le të kthehet në klasë të parë, ose të bëjë një ekzaminim të koshiencës.

FOTO GALERI
1/1

Top Channel