Terrori në Nicë, Alfano: Mbrojtja e Italisë në gjendje tensioni!

15/07/2016 00:00

“Sistemi ynë i mbrojtjes është në gjendje tensioni. Jo për të shkaktuar ankth, por për të qenë sa më efikasë në rastin fatkeq, që akush nuk mund të përjashtojë, të një ngjarjeje të tillë edhe në vendin tonë”.

Kështu shprehet ministri italian i Punëve të Brendshme, Angelino Alfano, pas mbledhjes së Komitetit të Analizës Strategjike Antiterrorizëm, pas atentatit në Nicë. Sipas burimeve të Kryeministrisë, në mbledhje ishte i pranishëm edhe kryetari i qeverisë, Matteo Renzi.

“Strukturat italiane të spiunazhit dhe të policisë punojnë 24 orë në ditë”, deklaroi ministri, i cili specifikoi se “janë marrë një sërë nismash të jashtëzakonshme në territor, në pika delikate si stacione, porte dhe aereporte. Janë nxjerrë urdhra dëbimi për të huajt që konsiderohen si të rrezikshëm”.

Menjeherë pas atentatit, ministri Alfano urdhëroi forcimin e kontrollit në Ventimiglia, ku ka 3 pika kufitare tokësore dhe një hekurudhore. Ndërsa gjatë natës së kaluar, në Imperia, zonë pranë Francës, autoritetet vendase iu ofruan autoriteteve franceze ndihmë mjekësore dhe vunë në gatishmëri spitalet për sjelljen e mundshme të të plagosurve.

Top Channel