AAK: Debati për demarkacionin, i drejtë edhe pse i vonuar!

15/07/2016 00:00

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, në opozitë, ka thënë se vendimi i Kryesisë së Kuvendit për Demarkacionin është i drejtë, ndonëse i vonuar.

Në një njoftim për mediet thuhet se, vendimi i kësaj të premteje i Kryesisë së Kuvendit, që debati për demarkacionin me Malin e Zi të mbahet më 3 gusht, është vendimi më i mirë i kësaj mazhorance në raport me temën, e cila është kontestuar me të drejtë prej kohësh nga opozita, profesionistë të shumtë dhe qytetarë, jo vetëm të Pejës, por të mbarë Kosovës.

“Ky vendim, edhe pse i vonuar, do të jetë mundësia më e mirë që të binden të gjithë ata që po e mbrojnë ketë formë të demarkacionit me Malin e Zi, e cila i fal mbi 8 mijë hektarë tokë të Kosovës, se kjo marrëveshje është e dëmshme dhe prek integritetin territorial të vendit. I falënderojmë të gjithë deputetët, pa dallim partie, që kanë këmbëngulur vazhdimisht në organizimin e një debati të tillë, e po ashtu u bëjmë thirrje edhe kolegëve të tjerë deputetë, që t’i thërrasin arsyes së shëndoshë dhe të mbrojnë atë çfarëa është interes madhor i vendit, siç është territori”, thuhet në njoftim.

Më tej, nga AAK thonë se do të vazhdojnë të jenë këmbëngulës mbi argumentet se nuk kanë territor për t’i falur askujt.

Top Channel