SHBA, tenton të vrasë çiftin por mbetet i vdekur; Sulmohet sërish klubi i “gay”-ve

15/07/2016 00:00

Është nisur të vrasë një çift ish-kolegësh, por ka humbur jetën vetë. Ish-punonjësi i pakënaqur i një spitali të “Panaca”-s, në lindje të Nevadës, vdiq në vend nga shpërthimi i bombës që kishte marrë në makinë, ndërsa një bombë e dytë shpërtheu në një shtëpi aty pranë, por pa shkaktuar viktima.

“Kur erdhëm, gjetëm një shtëpi thuajse të shkatërruar. Një makinë në flakë, e tela të shkëputur të energjisë elektrike”, u tha gazetarëve sherifi i kontesë Lincoln, Kerry Lee. Rrethanat e ngjarjes ende nuk janë zbardhur plotësisht, por mësohet se njëri prej shënjestrave të personit në fjalë ishte mbikëqyrës në spital.

Ndërkohë klubi i natës në Florida, i kthyer muajin që shkoi në skenën e vrasjes më masive në historinë e ditëve tona në Shtetet e Bashkuara, “PulseClub”, është mësyrë nga disa persona, të cilët kanë zhvidhosur derën e jashtme prej metali të lokalit e kanë hyrë brenda.

Në raportin e policisë nuk thuhet të jetë vjedhur ndonjë gjë. Efektivë të policisë e ruajnë klubin që prej 12 qershorit, kur Omar Mateen masakroi 49 persona e plagosi 53 të tjerë.

E në ditën kur këto dy episode ngacmuan qetësinë e Panacas e Orlandos, Presidenti Barack Obama u përball me djalin e Alton Sterling, afro-amerikanit të vrarë nga policia në Baton Rouge të Louisianës.

15-vjeçari mbërriti në Uashington DC për të marrë pjesë në një debat publik me presidentin mbi marrëdhëniet racore, e Obama e siguroi se askush nuk dëshiron t’i shohë të përsëriten vdekjet tronditëse të javës së kaluar.

Top Channel