Berlini “shigjeton” PD-në: Kërkesë pas kërkese për të shtyrë reformën

15/07/2016 00:00

Ernst Reichel, drejtor për Evropen jug-lindore, Turqinë dhe shtetet e EFTA-s në Ministrinë e Jashtme gjermane, është bërë zyrtari i radhës i huaj që ka dhënë mesazhin për miratimin e reformës në drejtësi.

I pranishëm në Tiranë për Konferencën e Ambasadorëve, Reichel ka përsëritur atë që tashmë e kanë thënë të gjithë.

“Projekti i madh për reformimin e një drejtësie të korruptuar është i një rëndësie të veçantë për përafrimin e Shqipërisë në BE-në”, ka deklaruar Reichel.

Ai ka theksuar se, në Uashington, Bruksel dhe gjithashtu në Berlin po ndiqen me një vëmendje të madhe zhvillimet në këtë çështje.

“Rëndësia e projektit të reformës vështirë se mund të mbivlerësohet. Ajo paraqet një vendim për trendin ekzistues nëse Shqipëria dëshiron të përshkojë rrugën në drejtimin e një shteti tërësisht funksional të së drejtës, në të cilin jo vetëm të pasurit dhe të pushtetshmit, por çdo njëri nga qytetarët merr të drejtën e tij. Rrugë, e cila do të krijonte mundësinë për kushte të sigurta investimi dhe bashkë me këtë edhe premisat për një hov ekonomik. Kjo është edhe arsyeja pse reforma në drejtësi është për BE-në dhe SHBA-të një element kyç”, ka thënë Reichel.

Ai ka shprehur besimin se, qytetarët e Shqipërisë e kuptojnë shumë mire sesa e rëndësishme është reforma në drejtësi. “Pas një pyetësori, 91% e qytetarëve janë shprehur pro reformës”, ka saktësuar zyrtari gjerman, i cili më tej nuk i ka kursyer kritikat për opozitën.

“Më duhet të pranoj se në të gjithë komunitetin ndërkombëtar, pas muajsh teatri politik po mbizotëron një frustracion i madh. Sa herë që opozita bën një kërkesë dhe kjo plotësohet, ajo gjen një kërkesë tjetër që të mund ta refuzojë më tej reformën. Në sfondin e këtyre përvojave na lind seriozisht pyetja nëse opozita po përdor çdo pretekst për refuzim, sepse ajo nuk e do reformën në drejtësi për arsye të ndryshme”, ka thënë Reichel.

Ai ka ritheksuar vullnetin e komunitetit ndërkombëtar. “Ne e duam reformën për interesin e këtij vendi, por duam edhe një reformë që e meriton këtë emër dhe nuk i lë gjërat të qëndrojnë në vend. Tani gjendemi në një fazë vendimtare. Të gjitha partitë politike, edhe opozita, duhet të marrin përgjegjësitë e tyre dhe të pozicionohen. Çdonjëri nga deputetët duhet të vlerësojë përgjegjësinë e tij politike. Nëse reforma dështon, kjo do të sillte pasoja të rënda për vendin por edhe për progresin e tij në rrugën e tij në drejtim të BE-së”, ka paralajmëruar Reichel.

Top Channel