Rreziku nga ekstremizmi, thirrje klerikëve për të pasur kujdes

15/07/2016 00:00

Ekstremizmi fetar po fiton terren gjithmonë e më shumë si antivlerë përkundrejt vlerës së tolerancës që shoqëria shqiptare e ka patur gjithmonë, sidomos kjo e dukshme tek shqiptarët e Kosovës, ku shumë të rinj kërkojnë shpëtim të gjendjes së tyre të vështirë duke përqafuar këto rryma ekstreme.

Në një kohë të klasifikimit të vlerave, Instituti për Studime Gjeopolitike dhe Siguri, nëpërmjet një botimi tërheq vëmendjen tek prijësit fetare dhe shpirtërore dhe kontributin e tyre në bashkëjetesnë ndërfetare.

“Për t’i treguar botës se për 1 mijë vjet me radhë, populli shqiptarë ka dhënë shumë prijës fetarë, shpirtërore, duke filluar nga Shën Nasi e deri tek Nëna Terezë që do të shenjtërohet këto ditë”, thotë autori i librit “Prijës fetarë dhe shpirtërorë shqiptarë”, Faton Mehmetaj.

Ajo që po ndodh sot në botë është një shtytje për t’i kujtuar botës kontributin tonë nëpërmjet këtyre prijësve fetarë, por edhe për t’i treguar vetvetes se hakmarrja fetare duhet eleminuar.

“Qeveria në Kosovë dhe në Shqipëria dhe udhëheqësit politikë duhet të punojnë më shumë me të rinjtë, duhet të sigurojnë një perspektivë për këta të rinj në mënyrë që të mos bien në kthetrat e rrymave ekstreme që janë shndërruar në rrezik global dhe po vrasin lirinë e njerëzve përditë”, shton redaktori i librit, Rahman Pacarizi.

Shqipëria është i vetmi vend në Europë që nuk ka patur luftra fetare. Të ndodhur midis Perëndimit dhe Lindjes shqiptarët kanë dhënë dhe kanë marrë nga të dyja, por në këto kohë shoqëria ka gjithmonë e më shumë nevojë të përcaktojë kufijtë e lejimit të përfshirjes së religjonit. Diskutime të tilla me përfaqësues fetarë dhe kulturorë, janë një mënyrë.

Top Channel