Emergjenca online në Nice, rrjetet sociale ndihmojnë për gjetjen e personave

15/07/2016 00:00

Në Nice, solidariteti u organizua në rrjetet sociale. Pas natës së tmerrit në Promenade Des Anglais, përpjekjet për të ndihmuar të afërmit e viktimave e apelet për gjetjen e personave të humbur vërshuan në Twitter e Facebook.

Me një shpejtësi të admirueshme, përmes hashtagut #PortesOuvertesNice, banorët e qytetit bregdetar i kanë orientuar ata që i largoheshin vendit të sulmit se ku mund të gjenin strehim.

Me #Nice06, kërkohen informacione për persona që nuk gjenden. Fale Facebook-ut, një familje e re arriti të rimerrte foshnjën 8 muajshe, të humbur gjatë rrëmujës që shpërtheu mes njerëzve në momentet e kalimit të kamionit.

Personat që e kishin gjetur karrocën me beben brenda i kontaktuan shumë shpejt prindërit e dëshpëruar falë platformës sociale.

“Urgjente, nëna e një mikes sime nuk po gjendet dhe ishte në Nice në momentet e sulmit”, thuhet në njërin prej mesazheve.

Facebook aktivizoi po kështu shërbimin “Safety Check”, të përdorur edhe gjatë sulmeve të nëntorit, i cili i lejon përdoruesve të tij në rrjetet sociale të tregojnë se janë mirë dhe nuk kanë pësuar gjë.

Një gjest i jashtëzakonshëm solidariteti ishte ai i treguar nga taksistet e qytetit, të cilët përgjatë gjithë natës kanë dërguar falas në spital të prekurit nga ngjarja e rëndë e kane ndihmuar po kështu në evakuimin e njerëzve që ndodheshin në shëtitoren e kthyer në skenën e tragjedisë.

Një njësi psikologësh u ngrit menjëherë për t’i ardhur në ndihmë personave të ndodhur atje, ndërsa për çdo informacion të mundshëm apo apele emergjence, në shërbim të publikut janë vënë disa numra kontakti pa pagesë.

Top Channel