Basha: Oferta e Ramës, hipokrizia e mesditës. Ja varianti i PD

15/07/2016 00:00

Përmes një deklarate, më herët deklarimit të ambasadorit Lu, kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha tha se, reforma në drejtësi nuk ka nevojë për qëndrime elektorale.

Duke iu referuar deklaratës së djeshme të kryeministrit Rama, i cili iu drejtua opozitës duke thënë “shkruajeni vetë si të doni”, Basha thotë se ky është tregues se këtij njeriu nuk mund t’i besosh dhe se ai nuk e mori asnjëherë seriozisht këtë çështje.

“Nuk kam pranuar që në fillim dhe nuk do të pranoj as sot, as nesër, që drejtësia të trajtohet si plaçkë për të mbyllur pazare apo për të bërë përllogaritje për hir të karrikes. Opozita – thekson Basha, – ka shkruar propozimin me kaligrafi dhe përmbajtje të ‘Venecias’ dhe Rama e ka mbi tryezë”.

Ka reaguar ndërkohë edhe zoti Meta, përmes një deklarate ku theksohet se, pasi u njoh me draftin e propozimit hibrid, ai shpreh vlerësimin e tij për përpjekjet e ndërmarra për finalizimin me sukses të reformës në drejtësi.

Meta tha se pjesë e këtij komunikimi konstruktiv mund të jetë edhe një takim Rama-Basha.

***

“Hipokrizi e mesditës. Rama nuk tërhiqet nga bllokimi por gjen pretekste për t’i ikur përgjegjësisë dhe për t’ju fshehur Venecias”, ka thënë Basha në një deklaratën e sotme të publikuar në rrjetin social Facebook. Ai ka theksuar se, “nëse vertet Rama e do reformën në drejtësi, zgjidhjen e ka gati në tryezë”.

Basha ka sqaruar edhe se çfare roli i jep propozimi i PD-së ndërkombëtarevë në proces.

“Vëzhgues nga Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit kanë të drejtë të marrin pjesë në seancat e shqyrtimit të kandidatëve pa asnjë kufizim. Kjo trupë ka të drejtë të ketë akses të plotë dhe të papenguar tek çdo dokumentacion që administron komisioni. Gjithashtu, ONM ka të drejtë të dorëzojë pranë komisionit ad hoc dokumentacion që vërteton kushtet e ndalimit të ushtrimit të funksionit në përputhje me Ligjin e Dekriminalizimit dhe që nuk disponohen nga institucionet shqiptare. Pas përfundimit të shqyrtimit të kandidatëve nga komisioni ad hoc, ONM ka të drejtë t’i dorëzojë Kuvendit një raport të detajuar me vlerësim për secilën kandidaturë, sipas kritereve kushtetuese dhe ligjore dhe dokumentave dhe provave të administruara nga komisioni. Raporti i vihet menjëherë në dispozicion çdo deputeti”, ka sqaruar Basha.

Ai ka shtuar se, kjo zgjidhje e ofruar nga opozita është tërësisht sipas rekomandimit të Komisionit të Venecias, “që është arbitri i vetëm i kërkuar dhe i pranuar nga të gjitha palët”, ka shtuar Basha.

Top Channel