Tahiri, në prokurori për padinë e KLD-së. Akuzon sërish gjykatësin Aliaj

15/07/2016 00:00

Me hap sportiv, ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri kapërceu shkallët e Prokurorisë së Përgjithshme duke iu përgjigjur thirrjes së prokurorëve për ta pyetur në lidhje me kallëzimin e bërë ndaj tij nga Këshilli i Lartë i Drejtësisë.

Dy prokurorët Altin Binaj dhe Adnan Xholi e pyetën për rreth një orë ministrin e Brendshëm për deklaratat e tij publike kundër gjyqtarit Arjan Aliaj, të cilat u konsideruan nga KLD si kanosje.

“Sqarova në prokurori që i qëndroj me pikë e me presje të gjitha deklarimeve që kam bërë. Cilado padi nga cilido gjyqtar mua nuk do të më ndalojë të them fjalën time për atë që besoj, që përfaqëson nevojën e qytetarëve shqiptarë për reformimin e sistemit të drejtësisë”, deklaroi Tahiri.

Ministri Tahiri tha se nuk mund të heshtë përpara një gjyqësori të korruptuar. “U njohët dje me një vendim gjykate për personin që në një aksident la pa jetë një grua. Ky person mund të ishte në burg dhe aksidenti të shmangej, sepse ishte një person i arrestuar nga policia sepse donte të korruptonte policinë”, tha Tahiri.

Sipas tij, çelësi i zgjidhjes është vetëm reforma. “Unë këtë e quaj shenjën më kuptimplotë që përfaqëson sot ajo pjesë e sëmurë e sistemit të drejtësisë që duhet adresuar patjetër përmes reformës në drejtësi. Por deri kur të miratohet kjo reformë mua nuk do më ndalojë asgjë të denoncoj me sa kam fuqi emër për emër çdo gjyqtar”, tha Tahiri.

Pritet që Prokuroria e Përgjithshme të marrë në pyetje edhe gjyqtarin e denoncuar, Arjan Aliaj, i cili gjatë hetimeve për pajisjen “IMSI Catcher” pezulloi nga detyra drejtorin e përgjithshëm të policisë, Haki Çako, një vendim ky që u rrëzua nga Apeli.

Top Channel