Tmerr dhe terror në Francë. Kamioni hyri mes turmës në Nice, 84 të vdekur

15/07/2016 00:00

Festa kombëtare e Francës u mbyll tragjikisht. Një kamion hyri përmes turmës në qytetin jugor të Nices duke vrarë të paktën 84 vetë dhe duke lënë dhjetëra të plagosur. Incidenti ndodhi në bulevardin buzë detit “Promenade des Anglais”, pikërisht në momentin kur po realizohej një shfaqje me fishekzjarre e organizuar nga bashkia me rastin e Ditës së Bastijës.

Prefekti i zonës, Sebastien Humbert, tha për televizionin shtetëror francez se shoferi i kamionit u ekzekutua nga policia pas shkëmbimit të të shtënave me armë zjarri.

Ndërsa kreu i Këshillit të Qarkut, Christian Estrosi, e cilësoi si një sulm dhe autoritetet i kërkuan banorëve të zonës të qëndronin në shtëpi dhe të mos bënin lëvizje nëpër rrugë përveç forcave policore.

Momentin e sulmit dëshmitaret e përshkruan si një moment paniku. “‘Vraponi, vraponi është një sulm’, kjo ishte e vetmja fjalë që dëgjohej”, tha një grua nga vendngjarja për televizionin francez. “Ka shumë gjak nëpër rrugë -tha një tjetër dëshmitare- e vetmja gjë që shohim janë njerëz të dëmtuar rëndë e të shtrirë për toke”.

Imazhet e rënda janë përhapur me shpejtësi nëpër rrjete sociale. Thuajse e gjithë Nice është blinduar nga forca të shumta sigurie për t’i garantuar qetësi banorëve të zonës. Ndërkohë që spitalet e qytetit jugor kanë hapur dyert për personat e plagosur.

Përpara se të vritej nga policia, drejtuesi ka qëlluar dhe ai disa herë me pistoletë. Identiteti i tij nuk është bërë ende publik, por agjencia e lajmeve AFP raporton se brenda mjetit janë gjendur dokumente të një 31-vjeçari franko-tunizian, të lindur në Tunizi si dhe një granatë dore e disa pushkë, për të cilat ka raporte se ishin të rreme.

Shefi i Elizesë foli për një “akt të përbindshëm terrorist”, ndërsa mësohet se autori i ngjarjes ishte emër i njohur për policinë për shkelje të ligjit, por nuk kishte tërhequr asnjëherë vëmendjen e shërbimeve të inteligjencës.

Në çdo 14 korrik, Franca kremton me një paradë simbolike dhe unike festën e saj të pavarësisë, ku këtë vit i ftuar nderi ishte Sekretari i Shtetit, John Kerry.

Pikërisht mesditën e së enjtes, Presidenti Hollande deklaroi se nuk ka më arsye që Franca të zgjasë gjendjen e emergjencës, pasi sipas tij, vendi i ka arritur kënaqshëm objektivat e terrorizmit.

FOTO GALERI
1/12

Top Channel