Nishani nuk pret ambasadorët. Takimi anulohet në momentet e fundit

14/07/2016 00:00

Një ngjarje e paprecedentë ka ndodhur mbrëmjen e ‎së enjtes. Përfaqësuesit diplomatikë të Shqipërisë, të mbledhur në Tiranë në kuadër të “Konferencës së ambasadorëve” kishin të planifikuar në orën 19:30 një pritje nga Presidenti Bujar Nishani, por ata nuk u pritën nga kreu i shtetit.

Pasi të 49 ambasadorët dhe të ngarkuarit me punë nëpër botë kanë përfunduar takimin me kryeministrin Rama dhe kryetarin e Parlamentit, Meta, të shoqëruar nga ministri Ditmir Bushati ata janë drejtuar për në selinë e Presidencës, ku dhe ishte planifikuar takimi.

Pasi kanë hyrë në ambientet e brendshme të Presidencës dhe pas disa minutash pritjeje, siç shihet dhe nga këto foto të sjella nga Top Channel, ka qenë drejtori i Kabinetit, Olsi  Lafe, ai që u ka komunikuar të pranishmëve se takimi ishte anuluar dhe kreu i shtetit nuk mund t’i priste për shkak të një angazhimi të minutave të fundit.

Top Channel kontaktoi edhe me Zyrën e Shtypit të Presidencës për shkaqet e anulimit të takimit me ambasadorët. Por, drejtori i Informimit nëPpresidencë tha se “nuk ka asnjë koment”.

Ndërkohë, burime nga të pranishmit në takimin e anuluar thanë për Top Channel se arsyeja mund të ketë qenë prania e Visar Zhitit, të cilin Nishani nuk e emëroi si ambasador kohë më parë, por tashmë ai është si i ngarkuar me punë i Qeverisë në Vatikan.

Top Channel