Mustafa-Krasniqi përplasen për demarkacionin

14/07/2016 00:00

Çështja e demarkacionit vazhdon të rëndojë mbi politikën kosovare. Marrëveshja e cila kushtëzon edhe liberalizimin e vizave për Kosovën është bërë shkak përplasjeje mes Kryetari të Këshillit Kombëtar të Nismës, Jakup Krasniqi, dhe kryeministrit Isa Mustafa.

Pas një shkrimi autorial ku Krasniqi kritikon kryeministrin për marrëveshjen e Demarkacionit me Malin e Zi, Mustafa shfrytëzoi rrjetin social “Facebook” për t’u kundërpërgjigjur, dukë thënë se përgjegjës për çështjen është edhe Krasniqi pasi ligjet janë nënshkruar në kohën kur ai ishte kryetar i Kuvendit.

Nuk vonoi as reagimi i këtij të fundit… “Reagimi i kryeministrit Isa Mustafa ndaj shkrimit tim lidhur me kushtëzimet e njëpasnjëshme për liberalizimin e vizave me demarkacionin dhe formimin e ushtrisë së Kosovës, është prova më e mirë se ky njeri e ka humbur orientimin në kohë dhe në hapësirë”, thotë Krasniqi në deklaratën e publikuar po në rrjetin social “Facebook”, duke shtuar se është kuvendi e jo kryetari qe miraton ligjet.

‘Kryeministri me qëllim ngatërron kufijtë e shtetit me kufijtë e parkut kombëtar “Bjeshkët e Nemuna” apo me ligjin për kufijtë administrativ të komunave e Planin Hapësinor’-vijon me tej deklarata…Qasja e Mustafës sipas tij nuk është gjë tjetër veçse një përpjekje e dëshpëruar për të arsyetuar versionin e demarkacionit që siç thotë i përvetëson Kosovës 8 mijë hektarë tokë.

Top Channel