Pritja me ambasadorët, Meta: Çdo gjë për reformë me konsensus

14/07/2016 00:00

Në pritjen e organizuar me ambasadorët shqiptarë në Kryesinë e Kuvendit pasditen e së enjtes, kreu i Parlamentit Ilir Meta theksoi se jemi në prag të afateve përfundimtare, përpara të cilave duhet të bëjmë gjithçka për ta mbyllur miratimin e reformës në drejtësi, përfshi këtu ndryshimet kushtetuese dhe një sërë ligjesh për zbatimin e tyre.

Meta theksoi edhe njëherë se do të bëjë çdo përpjekje që kjo reformë të mbyllet me konsensus, në mënyrë që të tregojmë imazhin e një vendi të ndërgjegjshëm për problematikën që ka, por edhe me vendosmërinë për rritjen e standardeve të funksionimit të shtetit ligjor.

“Tani jemi në momentet e fundit kur, për arsye edhe të kohës, sepse kemi disa afate përfundimtare, duhet të miratojnë ndryshimet kushtetuese të reformës në drejtësi dhe së bashku me to edhe disa ligje të rëndësishme për zbatimin e tyre. Në këtë drejtim ne do të bëjmë çdo gjë që kjo reformë të bëhet me konsensus dhe mbi të gjitha t’i japë një imazh pozitiv vendit tonë, si një vend i ndërgjegjshëm për problematikën që ka, por edhe me vullnetin për t’i rritur ndjeshëm dhe me ambicie të vendosur standardet e funksionimit të shtetit ligjor”, u shpreh Meta.

E pranishme ishte edhe Arta Dade, kryetare e Komisionit të Jashtëm, e cila theksoi se ligjvënësit shqiptarë duhet të vijojnë me fokusin për përmbushjen e reformave, sikurse edhe diplomacia duhet të vijojë të përmirësojë imazhin e vendit.

Top Channel