Propozimi i ri për konsensus, Rama-PD: Shkruajeni vetë, merrni ‘ok’ nga SHBA-BE

14/07/2016 00:00

Edi Rama dhe Ilir Meta nuk folën në Parlament për reformën në drejtësi, por ata ishin pjesë e negociatave intensive të ambasadorëve.

Mbrëmjen e së enjtes, pas takimeve diplomatike, kryeministri Edi Rama u tregua i gatshëm të pranojë çdo propozim të opozitës dhe në një postim në “Tëitter” ai i ofron Partisë Demokratike që ta shkruajë vetë reformën, të marrë miratimin e Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Europian dhe mazhoranca do ta votojë pa lëvizur asnjë presje.

Një qëndrim të tillë, kryeministri e paralajmëroi edhe gjatë takimit me ambasadorët e Shqipërisë në botë.

“Ne jemi shumë të vendosur, që deri në momentin e fundit të bëjmë çdo përpjekje, në përputhje të plotë me qëllimin dhe me qëndrimin e partnerëve tanë strategjikë”, tha Rama.

Edhe kryetari i Kuvendit, Ilir Meta e shfrytezoi takimin me ambasadorët e Shqipërisë për të dhënë një mesazh për reformën në drejtësi. Dhe fjala konsensus zuri sërish vend në mesazhin e tij.

“Ne do të bëjmë çdo gjë, që kjo reformë të bëhet me konsensus dhe mbi të gjitha t’i japim një imazh pozitiv vendit tonë”, tha Meta.

Gjatë ditëve të fundit, mes dy aleatëve kanë dalë në pah mosmarrëveshje, gjë që ra në sy edhe më shumë të enjten në replikat mes Petrit Vasilit dhe Fatmir Xhafës.

Por mes batutave dhe hyrje-daljet e ambasadorëve në zyrat e politikanëve, dita e dytë e negociatave u mbyll pa një produkt konsensual.

Top Channel