Reforma përplas mazhorancën. Vasili, si Basha; Reagon Xhafa

14/07/2016 00:00

Për herë të dytë brenda një jave, aleatët qeverisës dhanë sinjale të tjera se mes tyre ka mosmarrëveshje për reformën në drejtësi. Pasi Lëvizja Socialiste për Integrim kritikoi socialistët se nuk ishin transparentë për negociatat, qëndrimi i LSI-së për rolin e ekspertëve ndërkombëtarë ishte në parim më afër Partisë Demokratike, sesa Partisë Socialiste.

“Çdo zgjidhje që respekton dhe përmbush plotësisht këtë opinion të konsoliduar të ‘Venecias’, sigurisht ka edhe mbështetjen tonë”, tha Petrit Vasili, kreu i grupit parlamentar të LSIsë.

Petrit Vasili përmendi “Croën Agents”, si shembullin e dështimit të ekspertëve ndërkombëtarë për mbledhjen e të ardhurave nga doganat.

“Shqipëria është një Republikë Parlamentare, nuk është një republikë ekspertësh. Dhe, me Kushtetutën e vendit nuk mund të bëhen eksperimente në emër të ekspertëve. Kjo duhet të jetë shumë e qartë për këdo”, tha më tej Vasili.

Ishte kjo fjali, që nxori në pah dy qëndrime krejt të kundërta të dy aleatëve, sesi duhen kryer ndryshimet kushtetuese.

“Kam dëgjuar edhe të tjerë, që thonë se kjo është Republikë Parlamentare dhe jo republikë ekspertësh. Është e vërtetë, por mjerë ai Parlament e mjerë ajo Republikë Parlamentare që e ndërton Kushtetutën dhe ligjin mbi batutat, paligjshmërinë e politikanëve”, tha Fatmir Xhafa.

Edhe nga opozita nuk ka shumë qetësi. Deputetë të saj po bëjnë presion publik për kompromis.

“Kompromisi nuk duhet patjetër që ta mbyllim alla-shqiptarçe nëj pazar, por duhet për t’i dhënë jetëgjatësi, eficencë një sistemi, që edhe pa kompromisin është gjithnjë i vështirë të rindërtohet”, tha Dashamir Shehi, kryetar i LZHK-së.

“Shpresoj shumë që sot java, pra e enjtja tjetër e Parlamentit të na sjellë në një pikë të përbashkët për të votuar reformën në drejtësi. Unë nuk shoh asnjë rrugë tjetër, nuk arrij dot të imagjinoj datën 22 korrik, se çfarë do të ndodhë dhe si do të jetë situata në Shqipëri”, tha Majlinda Bregu, kryetare e Komisionit parlamentar të Integrimit.

Të martën, Majlinda Bregu dhe Astrit Patozi shprehën shqetësimin në grup parlamentar se Lëvizja Socialiste për Integrim po përdorte Partinë Demokratike për të fshehur qëndrimin e saj kundër reformës në drejtësi.

Top Channel