Francë, Hollande: Gjendja e emergjencës s’mund të zgjasë përjetë. Hiqet më 26 korrik

14/07/2016 00:00

Presidenti francez, François Hollande ka bërë të ditur se do të heqë gjendjen e emergjencës duke nisur prej 26 korrikut. Kjo situatë emergjente ishte vendosur që prej sulmeve të janarit, të marra përsipër prej grupit të Shtetit Islamik, pavarësisht se kreu i Elizesë pranoi duke e theksuar fort madje se kërcënimet vijojnë.

Hollande foli pas kryesimit të paradës tradicionale të Ditës së Bastijës, këtë të enjte, teksa me mijëra anëtarë të ushtrisë marshuan në formacione të përpikëta, dhjetëra automjete luftarake kumbuan përgjatë “Champs Elysees”, ndërsa avionët luftarakë oshëtinin në qiell duke shoqëruar gjithçka lëvizte në tokë.

Hollande tha se “nuk mund ta zgjasin përjetësisht gjendjen e emergjencës”. Megjithatë, pyetjes nëse “A ekziston ende rreziku?”, ai iu përgjigj qartazi me një “Po”.

Ai theksoi më tej se Franca do të dërgojë këshilltarë ushtarakë në Irak për të ndihmuar ushtarët irakianë të rimarrin qytetin e Mosulit, fortesën e Shtetit Islamik në veri të vendit.

Hollande nxiti gjithashtu kryeministren e re britanike, Theresa May, që të nisë sa më shpejtë procedurat për nxjerrjen e Britanisë nga Bashkimi Europian.

Top Channel