AAK: Demarkacioni, aspak kusht për formimin e FAK. Mashtrim

14/07/2016 00:00

Departamenti për Politikat e Mbrojtjes dhe të Sigurisë, në AAK, kërkon nga Qeveria e Kosovës që të mos i ndërlidhë situatat e dështuara të saj mes FAK-ut, ASK-së dhe Demarkacionit, gjoja si kusht që këto tri çështje të ndërlidhen me njëra-tjetrën.

Sipas AAK-së, qeveria nuk duhet të fshehë dështimet e saj, por duhet t’i ndalë mashtrimet ndaj qytetarëve të Kosovës, ndërsa Kuvendi duhet menjëherë të themelojë Ushtrinë e Kosovës para sesionit vjeshtor, e jo të përfillur orekset dhe kushtëzimet e “Listës Serbe” për FAK-un.

“FAK-u, pra ushtria e Kosovës është si çështje një detyrim kushtetues dhe politik i kësaj qeverie, e është dashur të krijohej menjëherë pas formimit të panatyrshëm të saj. Pra që në muajin e parë qeverisës, e jo të krijohej ky vakuum kohor e politik, duke i krijuar hapësirë si brenda ashtu edhe jashtë ndikimit të Serbisë dhe faktorëve të tjerë destruktivë. Në këtë rast edhe të manipulohet opinioni publik se gjoja Demarkacioni me Malin e Zi është kusht për FAK-un. Talljet e tilla nga kryeministri janë të papranueshme dhe jo vetëm që nuk ndikojnë në krijimin e FAK-ut, por shpërfaqjet e tilla janë në dëm të së ardhmes së ushtrisë së Kosovës”.

“Qeveria dhe kryeministri, i cili nuk po arrin ende procedimin në Kuvend të amendamentit të ligjit për FAK-un, njëherazi dëshmoi se nuk arriti të realizojë detyrimin kushtetues për krijimin e Ushtrisë së Kosovës. Duhet dhënë llogari për dështimet e njëpasnjëshme në dëm të Kosovës. Ne, si Departament për Politikat e Mbrojtjes dhe të Sigurisë brenda AAK-së kërkojmë me ngulm që FAK-u, përkatësisht ushtria e Kosovës të konsiderohet prioritet strategjik, i ndarë nga çdo përpjekje për ta manipuluar apo kamufluar me situata të tjera. Dhe si prioritet strategjik kombëtar për Kosovën të realizohet përpara çdo lloj nisme në Kuvend dhe menjëherë të veprohet me themelimin e tij”, thuhet në komunikatën e AAK-së.

Top Channel