Festivali 9 ditor i San Ferminit në Spanjë u mbyll këtë vit me tetë të lënduar lehtë, e pa incidente të mëdha.

Mijëra vërshojnë nga e gjithë bota për të marrë pjesë në 875 metra vrapimi përmes rrugëve të ngushta të qytetit mesjetar të ndjekur nga dema të rritur enkas për këtë rast. Evente të tilla mbahen në pjesë të ndryshme të vendit gjatë muajve të verës, megjithatë vrapimi me dema i San Ferminit vazhdon të mbetet më popullori mes tyre dhe një magnet i vërtetë për turistet. Alexander Fiske-Harrison nga Londra ka marrë pjesë në 60 gara të këtij lloji në Spanjë.

“Është e 60-ta herë që vrapoj këtu, por kam qenë edhe në Tafalla apo Cuellar. Është vërtet elektrizuese, gjërat rrjedhin shumë shpejt”, shprehet Alexander Fiske-Harrison, turist.

Në garën e sotme u lëshuan dema të rritur në fermën e Miura-s, e njohur për forcën e kafshëve të saj dhe bukurinë e tyre fizike.

Vrapimi gjatë festivalit nis çdo mëngjes nga arena e demave në 8:00 me orën lokale. Vrapimi me kafshët që vijnë nga pas është shndërruar në ngjarje të njohur ndërkombëtarisht dhe e mbush çdo vit qytetin e vogël me vendas e vizitorë të huaj.

Të famshme fillimisht atë e bëri romani i Ernest Hemingway-t, “Dhe dielli lind”, ku përshkruheshin momentet e vërshimit të njerëzve nëpër rrugë e rendjen e demave që më pas vriten në mbrëmje në arenat e dyluftimeve.

Top Channel