Bashkëpunoi me drejtësinë, burg luksi për Sinanajn. 30 vite në qeli të posaçme

14/07/2016 00:00

I konsideruar si porositësi i vrasjes së Sokol Veizajt dhe i Agron Çelës, Andon Mëhillaj u shpall fajtor për 5 vepra kriminale, mes tyre edhe për “grup të strukturuar kriminal”, e për këtë gjykata pranoi pretencën e Prokurorisë duke i dhënë dënimin më të rëndë nga të gjithë, atë të dënimit të përjetshëm.

Por Gjykata e Krimeve të Rënda rrëzoi kërkesën e organit të akuzës për burgim të përjetshëm edhe për kushëririn e tij, Genis Mëhillajn, ende i kërkuar nga Drejtësia. Ai u dënua me 10 vite burgim, duke u konsideruar fajtor për moskallëzim krimi për ekzekutimin e Veizajt dhe jo si porositës, por edhe si njeriu që kishte siguruar mjete për vrasje të tjera.

Dy të pandehurit e po ashtu bashkëpunëtorë të drejtësisë, Julian Sinanaj dhe Ndriçim Gjokona u dënuan gjithashtu respektivisht me 35 vite burgim i pari dhe 8 vite burgim i dyti, shok i tij. Megjithëse të klasifikuar si vrasës me pagesë, ata përfituan nga statusi i të penduarve.

Ndaj Sinanajt, gjykata radhiti 14 episode kriminale, për të cilat u shpall fajtor. Ngjarje që e shohin si autor, që nga vrasja e Sokol Veizajt, Agron Çelës, tentativa për të vrarë biznesmenin Pirro Bare, apo edhe vendosja e lëndëve plasëse në makinën e ish-Prefektit të Vlorës, si dhe në shtëpinë e ish-deputetit Ardian Kollozi.

Gjyqtarja Flora Hajredinaj e dënoi Sinanajn me burgim të përjetshëm, dënim i cili i zbret në 35 vite burgim për shkak të statusit.

“Sipas Kodit Penal, caktojmë masën e sigurisë për një periudhë prej 30 vitesh për të. Vuajtja e dënimit për të pandehurin fillon që nga dita e arrestimit në flagrancë dhe do të kryhet në një nga institucionet e ekzekutimeve të vendimeve penale sipas marrëveshjes me Drejtorinë e Mbrojtjes së dëshmitarëve dhe bashkëpunëtorëve të drejtësisë”, tha gjykatësja Flora Hajredinaj.

Por ndërsa Julian Sinanaj, së bashku me Ndriçim Gjokonën, e pritën në heshtje vendimin dhe të rrethuar nga policia e Drejtorisë së Mbrojtjes së bashkëpunëtorëve, të tjerët në kafaz kërkuan të shikohej dokumentacioni, pasi dosja – sipas tyre – është e fryrë.

Ja dënimet respektive të dhëna sot:

Julian Sinanaj, 35 vite burgim
Ndriçim Gjokona, 8 vite burgim
Andon Mëhillaj, burgim i përjetshëm
Genis Mëhillaj, 10 vite burgim
Marion Mitro, 19 vite burgim
Albin Meçaj, 8 vite burgim
Ilir Karçini, 5 vite burgim.

Top Channel