F1, Arrivabene i Ferrarit: Nuk duhet të bëjmë më gabime

14/07/2016 00:00

Ferrari deri tani ka përjetuar një sezon problematik në Botërorin e Formulës 1. Kokëkuqja italiane nuk ka mundur të rivalizojë ashtu siç pritej me Mercedesin, ndërkohë që ndjen pranë edhe rrezikun Red Bull, që në garat e fundit është shfaqur mjaft mirë.

Ndalesa e radhës së Botërorit të Formulës 1 është në Hungari dhe për drejtuesin e Ferrarit, Maurizio Arrivabene, kjo garë mund të jetë pika e kthesës për këtë skuadër.

“Pas Çmimit të Madh të Hungarisë nuk duhet t’i lejojmë vetes as gabimin më të vogël. Pikërisht pas kësaj gare do të kuptojmë ku jemi dhe sa shanse kemi, por unë besoj se nuk do të dështojmë. Në garat e mëparshme të sezonit kemi pasur disa probleme me motorin e makinës, por i zgjidhëm ato për ta kthyer atë në pikën tonë më të fortë”, tha Arrivabene.

Shefi i Ferrarit e përmendi edhe përmirësimin e Red Bullit, por shtoi se synimi i Ferrarit vazhdon të jetë fitorja ndaj Mercedesit: “Besoj se përmirësimi i Red Bullit i ka bërë mirë Formulës 1, sepse kjo skuadër ka bërë që të rritet akoma më shumë interesi për Botërorin. Por, unë vazhdoj të mendoj se synimi ynë është që të fitojmë ndaj Mercedesit dhe jo Red Bullit. Sezoni është në një pikë ku ne nuk duhet të dorëzohemi. Duhet të zgjidhim probnlemet tona dhe kjo duhet bërë në kohët më të vështira”.

Top Channel