MF: Përmirësim i ndjeshëm i treguesve fiskalë në 6-mujorin e parë

14/07/2016 00:00

Ministria e Financave ka publikuar këtë të enjte treguesit fiskalë paraprakë për gjashtëmujorin e parë të vitit 2016.

Sipas një njoftimi për shtyp, të ardhurat totale janë realizuar në masën 198.1 miliardë lekë, me një tejkalim prej 102 milionë në raport me planin e 6-mujorit të parë 2016.

Të ardhurat nga Tatimet dhe Doganat u realizuan në vlerën 170.4 miliardë lekë, që do të thotë 17.7 miliardë lekë më shumë se 6-mujori i vitit 2015.

Sipas njoftimit zyrtar, të ardhurat nga taksa doganore janë realizuar në vlerën e 2.85 miliardë lekëve, ose 9.6% më shumë se e njëjta periudhë e vitit të kaluar.

Të ardhurat nga akciza ndërkohë janë realizuar në vlerën e 19.2 miliardë lekëve, ose 10.3% më shumë se 6-mujori i parë 2015.

Ky realizim, sipas MF, reflekton kryesisht rritjen e sasisë së cigares së importuar me 269 tonë, ose 24.8% më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, duke arkëtuar 1.5 miliard lekë më shumë për këtë artikull.

“Arsyet e performancës pozitive përveç përmirësimit të vazhdueshëm në administrim, lidhen me situatën e normalizuar të fluksit të importeve, të pandikuar nga ndryshimet e nivelit të taksimit për vitin 2016 për cigaret”, saktësohet në njoftimin e MF.

Tregues të tjerë shumë pozitivë janë shënuar edhe në të ardhurat e mallrave të tjerë të akcizës si: mineralet dhe pijet alkoolike.

Top Channel