Klubet më të pasur, Dallas Cowboys parakalon Realin

14/07/2016 00:00

Ndryshojnë hierarkitë në renditjen e Forbes për klubet sportive më të pasur. Për herë të parë, që nga viti 2011, nuk është një skuadër futbolli ajo që kryeson këtë klasifikim të revistës prestigjioze amerikane, por një ekip i National Football League (futboll amerikan).

Bëhet fjalë për Dallas Cowboys, që, sipas Forbes, është skuadra që kryeson me një vlerë ekonomike që kap shifrën e 4 miliardë dollarëve, duke thyer një traditë shumë të konsoliduar.

Reali i Madridit që kryesonte deri tani, edhe pse fitoi Ligën e Kampioneve, e sheh veten  të zbresë në vendin e dytë me një vlerë ekonomike prej 3.6 miliardë dollarësh. Podiumin e plotësojnë rivalët historikë të “Los Blancos”, Barcelona. Katalanasit gjenden në vendin e tretë me 3.55 miliardë dollarë.

Klasifikimi vijon me një skuadër të Major League Baseball, New York Yankees, me 3.4 miliardë dollarë, i ndjekur nga Manchester United në vendin e pestë.

Në dhjetëshen e klubeve me vlerën më të lartë ekonomike sipas Forbes, përfshihen dhe New York Knicks, Los Angeles Lakers nga NBA si dhe ekipet e tjera të NFL, Washington Redskins dhe New York Giants.

Top Channel