Turi i Francës, Sagan mposht Froome në etapën e 11

14/07/2016 00:00

Peter Sagan është fituesi i etapës së 11 të Turit të Francës. Çiklisti sllovak i skuadrqës Tinkoff arriti të lërë pas kryesuesin  e këtij aktiviteti, Chris Froome dhe shokun e tij të skuadrës Bodnar, në një garë që u kushtëzua shumë edhe nga erërat e forta.

Sagan, së bashku me Bodnar, në 12 kilometrat e fundit shfrytëzoi rastin për t’u shkëputur nga pjesa e tjetër e çiklistëve. Chris Froome reagoi dhe u vu në ndjekje të tyre e bashkë me të edhe çiklisti tjetër i Team Sky, Jerent Thomas.

Të katërt këta çiklistë krijuan një diferencë prej 19 sekondash me grupin e madh, por në metrat e fundit Thomas nuk rezistoi, duke i lënë të vetëm në krye Sagan, Froome dhe Bodnar. Në metrat e fundit, Sagan dhe Froome diskutuan fitoren me anë të sprintit, ku ishte sllovaku ai që triumfoi.

Pas etapës së 11, renditja e përgjithshme vazhdon të kryesohet nga Chris Froome me kohën 52 orë 34 minuta e 37 sekonda. Në vendin e dytë vazhdon të jetë britaniku tjetër Adam Yates me 28 sekonda më shumë, ndërsa i treti është irlandezi Daniel Martin, me 31 sekonda më shumë se Froome.

Top Channel