LSI: Konsensus dhe Venecia. Ekspertët, jo eksperimente me Kushtetutën

14/07/2016 00:00

Lëvizja Socialiste për Integrim ka vendosur të mos hyjë në detaje për negociatat në zhvillim për rolin e ndërkombëtarëve në procesin e vetingut. Por qëndrimi i aleatit të qeverisë ishte i ngjashëm në parim me atë të opozitës.

“Çdo zgjidhje respekton dhe përmbush plotësisht këtë Opinion të konsoliduar të Venecias, sigurisht që ka dhe mbështetjen tonë”, u shpreh Vasili.

I vetmi detaj që tregoi se LSI nuk duket se është në përkrahje një rol vendimmarrës të ndërkombëtarëve ishte përmendja e marrëveshjes së Shqipërisë me “Crown Agents”, një marrëveshje që, sipas Vasilit, pati rezultate të hidhura.

“Shqipëria është një republikë parlamentare, nuk është një republikë ekspertësh dhe në Kushtetutën e vendit në emër të ekspertëve nuk mund të bëhen eksperimente”, tha Vasili.

Petrit Vasili rikonfirmoi qëndrimin e LSI-së për të miratuar me konsensus ndryshimet kushtetuese.

“Mund të realizohet vetëm në këtë mënyrë dhe përtej çdo shantazhi dhe çdo lloj tentative për të akaparuar deputetë, pasi kjo reformë nuk mundet të konsiderohet dhe nuk mund të trajtohet si një alibi elektorale për zgjedhjet e ardhshme”, u shpreh Vasili.

Për LSI-në, miratimi me konsensus i reformës dhe sipas Venecias i reformës është plani A dhe i vetmi që duhet të ekzistojë.

Top Channel