Gangsteri i rrugës, 9 muaj burg një vit më parë iu konvertua me punë publike

13/07/2016 00:00

I riu që shkaktoi aksidentin e rëndë në Tiranë u gjet fajtor nga policia edhe një vit më parë për tejkalim shpejtësie. Ai u burgos për këtë dhe për shkak se tenoti t’i jepte edhe rryshfet policëve.

Por ai i shpëtoi një mase të rëndë ndëshkimore për shkak se për pak ditë mbushte 18 vjeç, por gjithësesi gjykata e tregua tejet e butë me të.

Një dënim i ashpër ndaj tij mund të parandalonte një aksident të rëndë si ky i sotmi. Ai u dënua me 9 muaj burg, por nuk i kreu ato pasi dënimi iu kthye në detyrim për të kryer punë me ineteres publik.

Top Channel atëherë e intervistoi Andrea Memollarin pikërisht teksa shlynte me orë pune në Muzeun Historik Kombëtar Dënimin e tij, pasi kishte përfituar nga shërbimi i provës.

Memomallari kishte mësuar të mos korruptonte më policët nga e gjithë kjo histroi, por jo të hiqte dorë nga shpejtësia e automjeteve.

“Eca shpejt, ndalova, i dhash lekë policit, ai më futi brenda. Jam dënuar me 48 orë punë këtu në muze, 4 orë në ditë këtu. Zakonisht orientoj të huajt. Nuk e bëj më një gjest të tillë, nuk do t’i jap më lekë policit, por pak shpejt do të eci se çunat e rinj e kanë njëçikë këtë”, tha Memollari.

Asokohe 18-vjeçar, pavarësisht se Memollari nuk ishte i bindur për fajësinë e tij dhe as për atë çfarë pasoje sjell shpejtësia mbi normat e lejuara. Që nga çlirimi nga detyrimi ligjor dhe deri tani ai nuk hoqi dorë nga shpejtësia e automjetit.

I parë shpesh herë në shoqërinë e fëmijëve të familjeve të pasura të Tiranës, Memollari vazhdoi hobin e tij duke i shkaktuar vdekjen gruas 37-vjeçare, nënë e dy fëmijëve. Ajo çka ishte më e rënde në këtë ngjarje ishte fakti që nuk ndaloi, por u largua në përpjekje që t’i fshihej krimit.

Top Channel