Meta takon ligjvënësit shqiptarë të Malit të Zi: Mbështeje për kërkesat tuaja

13/07/2016 00:00

Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta, në vijim të vizitës së tij në Mal të Zi zhvilloi sot një takim me deputetët shqiptarë të Parlamentit malazez.

Gjatë takimit me deputetët Halil Dukoviç, Luigj Shkrela, Nikollë Gegaj, Nik Gjeloshaj dhe Dritan Abazoviç, Meta trajtoi problematikat që prekin popullësinë e pakicës autoktone shqiptare të Malit të Zi dhe dëgjoi me vëmendje shqetësimet dhe sugjerimet e tyre për disa çështje të ndjeshme.

Pasi u informua për çështje si decentralizimi i pushtetit lokal në komunën e Tuzit, zbatimi i ligjit për të mirat detare në Ulqin dhe rrethina siç zbatohet edhe në komuna të tjera të bregdetit malazez, për çështje të arsimit të fëmijëve shqiptarë, apo edhe për përdorimin e simboleve kombëtare, Meta nënvizoi se Kuvendi i Shqipërisë i mbështet kërkesat legjitime të pakicës shqiptare dhe është në komunikim të vazhdueshëm me autoritetet malazeze, të cilat sipas tij kanë treguar mirëkuptim për shumë çështje.

“Tirana zyrtare do të punojë më ngushtë me Podgoricën dhe Kuvendi i Shqipërisë do t’i mbajë dyert hapur për të gjithë shqetësimet legjitime të tyre”, u premtoi Meta ligjvënësve shqiptarë.

Ai konfirmoi angazhimin e tij personal për të avancuar kërkesat në fjalë, të cilat duhet t’i shërbejnë jo vetëm interesit ekonomik e social të shqiptarëve, por edhe stabilitetit e forcimit demokratik të Malit të Zi.

Top Channel