Arrestohet autori i aksidentit rrugor, vrau nënën e dy fëmijëve

13/07/2016 00:00

Është arrestuar drejtuesi i mjetit që këtë të mërkurë shkaktoi aksidentin makabër në Tiranë, ku përplasi për vdekje nënën e dy fëmijëve.

Lajmin e konfirmojnë burime policore zyrtare, sipas të cilave në prangat e uniformave blu ka rënë shtetasi Andrea Memollari.

Më herët gjatë ditës, në rrugën “Asim Vokshi”, Memollari përplasi për vdekje shtetasen Dhurata Prifti, 37 vjeç dhe pasi e shkeli me automjetin e tij tip “Benz” me targë “AA 476 GI” i kaloi përsipër dhe u largua nga vendngjarja.

Shtetasi Andrea Memollari nuk është një emër i panjohur në skedarët e policisë. Më 24 qershor të vitit të kaluar ai u procesua për tentativë korrupsioni ndaj oficerëve të policisë, të cilët e kishin ndaluar për shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor.

Atëherë ai u dënua për veprën penale të “korrupsionit aktiv” me 9 muaj burg, vendim që fillimisht u reduktua në 6 muaj e që më pas u pezullua kundrejt detyrimit për të kryer punë me interes publik.

Andrea Spartak Memollari, lindur më 7 mars 1996 në Corovodë dhe banues në Tiranë, rezulton i arsimuar me vetëm 9 klasë.

Nderkohë, shtetasja Dhurata Prifti ka qenë një ish-sportiste e njohur në qitje për klubin Studenti.

FOTO GALERI
1/1

Top Channel