Importi i mbetjeve për riciklim, ekspertët: Të mos lejohet me ligj djegia

13/07/2016 00:00

Ekspertët e mjedisit kërkuan që rikthimi i ligjit për lejimit e importit të mbetjeve, si lëndë e parë për riciklim, të ketë përcaktime të qarta për të ndaluar përdorimin e mbetjeve për ndjegie.

“Deri më tani kanë filluar të punojnë incineratorët në Shqipëri dhe nesër do të dalin përsëri me idenë që mbetjet e vendit tonë nuk u mjaftojnë dhe duan të importojnë mbetje, që t’i djegin edhe ato të huajat, sepse kanë fabrika shumë të mëdha për prodhimin e energjisë”, tha Xhemal Mato, ekspert mjedisi.

Në komisionet parlamentare nisën konsultat, ku përfaqësuesit e industrisë së përpunimit të mbetjeve thanë se lejimi i importit do të nxisë mbrojtjen e mjedisit dhe do të ketë impakt ekonomik pozitiv.

Ndërkohë, deputetët e Partisë Demokratike kërkuan që mazhoranca të kërkojë falje për bllokimin e importeve për 3 vite, pasi ndryshimet ligjore janë të njëjta me ligjin e mëparshëm.

“Tekstualisht është thënë se prapa këtij ligji qëndron mafia në vitin 2011. Apo shprehjet, që Shqipëria po bëhej depozitë mbetjesh. Tani ky projektligj i propozuar është tërësisht i njëjtë me ligjin e 2011-s”, tha deputeti i PD-së, Helidon Bushati.

Nga ana tjetër, socialisti Ervin Bushati thotë se synohet përmirësimi i situatës së mjedisit.

“Përpiqemi të kombinojmë efektin ekonomik me atë që mund të përmirësojmë me mjedisin, gjithashtu është dyfish detyra jonë. Për këtë arsye ne e morëm këtë nismë, duke ditur se edhe mund të etiketoheshim, të paragjykoheshim, apo të mos mirëpriteshim”, tha Bushati.

Ligji për lejimin e importit të mbetjeve për qëllime riciklimi është një nismë e 3 deputetëve të mazhorancës.

Top Channel