Shqipëria, me bursë energjie. Shmangen tenderët për shitblerjen e saj

13/07/2016 00:00

Shqipëria nuk arriti asnjëherë të ndërtojë një bursë financiare, por duket se do të jetë një ndër vendet e para në rajon që do të ketë një bursë për energjinë.

“Bursa do të jetë operacionale, pra gati për funksionim brenda korrikut të vitit 2017”, tha Engjëll Zeqo, drejtor i Operatorit të Sistemit të Transmetimit (OST).

Drejtori i OST-së thotë se në planin e veprimit janë përcaktuar edhe detajet sesi bursa do të bëhet funksionale.

“Do të fillojë me energjinë që OST-ja dhe Shpërndarja blejnë sot në treg për mbulimin e humbjeve dhe më pas do të vazhdojë me konsumatorët e vendosur në linjat e tensionit të mesëm, e kështu me radhë bizneset private që do të dalin në treg të lirë”, tha më tej Zeqo.

Por shmangia e tenderëve të energjisë dhe ulja e rrezikut të korrupsionit nuk është përfitimi i vetëm i bursës.

“Do të ulet edhe risku hidrologjik, pasi nuk do të thotë që në bursë do të marrin pjesë vetëm prodhuesit shqiptarë. Do të jetë një bursë edhe më e gjerë, ku edhe prodhues apo tregtarë të tjerë, apo edhe konsumatorë të tjerë do të marrin pjesë. Çfarë do të thotë se ka një mundësi më tepër si për prodhuesit për ta shitur atë energji, por edhe për konsumatorët për të gjetur një energji më të lirë në treg”, deklaroi Engjëll Zeqo.

Përveç çmimeve më të mira dhe të drejtave për konsumatorët, bursa – sipas Zeqos – rrit garancitë për investimet e huaja në prodhimin e energjisë.

“Një investitor do ta ketë më të lehtë tani, sepse ka një treg se ku do ta shesë energjinë. Pra nuk do të kemi vetëm tenderët e energjisë për heqjen dhe kufizimet që tregtarët, por edhe prodhuesit mund të kenë sot”, u shpreh më tej Zeqo.

Deri në fund të vitit të ardhshëm, mbi 5 mijë biznese do të shkëputen nga rrjeti i Shpërndarjes dhe duhet ta sigurojnë energjinë vet nëpërmjet bursës, ose marrëveshjeve individuale.

Top Channel