Kosovë, pas protestave arrihet ndarja e buxhetit për specialistët e papunë

13/07/2016 00:00

Ministri i Shëndetësisë, Imet Rrahmani ka njoftuar se do të ndahet buxheti për angazhimin e përkohshëm të specialistëve të papunë.

Përmes një postimi në rrjetin social “Facebook”, ai ka bërë të ditur se tashmë kanë marrë konfirmimin për ndarjen e buxhetit për angazhimin e përkohshëm të specialistëve të papunë dhe se, nga janari i vitit të ardhshëm specialistët do të mund të kenë angazhim të përhershëm në sistemin shëndetësor.

“Pas angazhimit disamujor në evidentimin e specialistëve të papunë dhe gjetjen e mundësisë së angazhimit të tyre të përkohshëm, sot morëm konfirmimin se do të ndahet buxheti për angazhimin e përkohshëm të tyre. Besojmë se, nga janari i 2017-s mund të mendojmë për angazhim të përhershëm të tyre në sistemin tonë shëndetësor. Falënderojmë të gjithë ata që ndihmuan në këtë proces, në veçanti kryeministrin Isa Mustafa”, ka pohuar Rrahmani.

Dhjetëra specializantë nga fusha të ndryshme, të papunë, kanë protestuar sot para ndërtesës së Kuvendit të Kosovës, duke kërkuar që të ndahet një pjesë e buxhetit për ta, në mënyrë që të angazhohen në profesionin e tyre. Gjithashtu, ditë më parë ata kishin protestuar edhe para ndërtesës së Ministrisë së Shëndetësisë.

Top Channel