Kaliforni, dy artistë ndërtojnë “murin” e Trumpit në kufirin SHBA-Meksikë

13/07/2016 00:00

Dy artistë kanë krijuar versionin e tyre të murit, që kandidati republikan Donald Trump propozoi të ndërtohet mes Shteteve të Bashkuara dhe Meksikës. Muri i David Gleeson dhe Mary Mihelic ndodhet në “Jacumba Hot Springs” të Kalifornisë, rreth 112 km larg San Diegos.

Struktura ngrihet shumë pranë kufirit aktual. Ajo përbëhet nga blloqe çimentoje të përzierë me qymyr, një poster i madh fushate i Trumpit, dhe është zbukuruar me fruta, perime dhe mjete pastrimi.

Nga sa pohoi vet Gleeson në një intervistë për “The New York Times”, muri i dy artistëve simbolizon pasojat ekonomike që tkurrja e emigracionit dhe mbyllja e kufijve do të kishte mbi bujqësinë, industrinë dhe jetën në vend.

Zotimi i miliarderit njujorkez për ngritjen e murit në fjalë ka qenë një prej pikave më të diskutuara të platformës së tij në shënjestrimin e emigracionit ilegal. Kritikët shpesh janë tallur me këtë ide, ndërsa manjati vet pak e ka shpjeguar sesi mund të financohet barriera 1.600 kilometra e gjatë , e cila do të kushtonte rreth 8 miliardë dollarë.

Por fakt është se thirrja e Trumpit për një mur të padepërtueshëm përgjatë kufirit jugor të SHBA-ve me Meksikën ka qenë një nga arsyet që rriti mbështetjen e tij në anketa, e i solli në fund nominimin republikan në zgjedhjet presidenciale të 8 nëntorit, edhe pse për zyrtarizimin do të duhet të pritet konventa e partisë.

Top Channel