Nëna shpëton fëmijët, por aksidentohet për vdekje

13/07/2016 00:00

Një grua u aksidentua për vdekje pas një aksidenti që mund të kishte përfunduar edhe më tragjikisht. Ajo shpëtoi 2 fëmijët e saj duke i dalë përpara një makine, e cila e mori përpara dhe i kaloi përsipër.

Aksidenti i rëndë ndodhi në rrugën “Asim Vokshi”, pranë ish-stacionit të trenit në kryqëzimin me burgun 313 në kryeqytet, teksa 37-vjeçarja po kalonte nga njëri krah i rrugës në tjetrin së bashku me 2 fëmijët e saj.

Në këtë moment, gruaja ka parë një makinë që afrohej me shpejtësi dhe ka shtyrë 2 fëmijët duke i shpëtuar ata nga përplasja, por duke marrë dëmtime të rënda për vete.

Automjeti u largua me shpejtësi nga vendngjarja, ndërsa dëshmitarët flasin për një skenë të tmerrshme.

Gruaja 37-vjeçare me iniciale DH.P ndërroi jetën pak orë më pas në spital, ndërsa policia ka identifikuar automjetin tip “Mercedes Benz”, ngjyrë gri, me targa AA 476 GL me pronar shtetasin DH.O, i cili është shpallur në kërkim.

Uniformat blu po këqyrin kamerat e bashkisë të instaluara në disa kryqëzime në këtë zonë për të bërë të mundur gjetjen dhe arrestimin e drejtuesit që shkaktoi aksidentin e rëndë. Burime nga policia thonë se ai është larguar me shpejtësi të madhe dhe nuk përjashtojnë mundësinë që të ketë qenë nën efektin e alkoolit.

Top Channel