Nëse nevoja është nëna e shpikjes, 8 vite recesioni gjunjëzues dhe perspektivash të zymta punësimi, i kanë shtyrë një pjesë të grekëve të reflektojnë, të ndryshojnë profesion e të kërkojnë risitë, në mënyrë që t’u mbijetojnë tallazeve financiare.

Skeletet e syzeve prej druri nga ishulli i Sirosit po kërkohen gjithmonë e më shumë në Europë e përtej saj. Mjalti organik i përzierë me ar nga kodrat e Evioas në lindje të vendit ka gjetur klientë në Shtetet e Bashkuara, Londër, Hong Kong dhe Emiratet e Bashkuara Arabe.

Ndërsa në një periferi të Athinës, një marangoz e ktheu në biznes hobin e jetës së vet, prodhimin e pushkëve prej druri për gjuatje nënujore, kur u detyrua të mbyllte punishten për shkak të krizës ekonomike. Kërkesën e parë për këtë lloj pushke e mori nga Rusia.

Dimitris Hatzirodos, pushkët e detit të të cilit variojnë nga 450 deri në 1.500 euro, thotë se pikërisht ngërçi i ekonomisë i detyroi grekët të mendojnë ndryshe.

“Kur gjërat vështirësohen, në çdo fushë të jetës kudo qoftë, të shtyn të mendosh se çfarë mund të bësh tjetër, të nxit të dalësh me ide të reja”, tha Dimitris Hatzirodos, marangoz.

Më shumë se 400 mijë grekë kanë emigruar jashtë kufijve që prej fillimit të krizës financiare në vitin 2009. Të papunët përbënin një të katërtën e popullsisë dhe fitimet ranë me 40%.

Periklis Therrios, 36 vjeç, u largua për një kohë të shkurtër drejt Kanadasë, por mendjen e kishte në atdhe. Bashkë me partneren e tij, Eleni Vakondiou, ata nisën nga viti 2012 të prodhonin me dorë skelete syzesh, një ide që i lindi ndërsa pinin kafe. Fillimi ishte i vështirë, por kërkesat dalëngadalë u shtuan e nga 350 palë në vit, tani porositë kapërcejnë të 2.000 palët, që shiten nga 250 deri në 300 euro.

Zyrtarët vendas thonë se Greqisë nuk i mungojnë talentet, por vendit i duhet një kornizë kushtetuese që të inkurajojë inovacionin, si dhe mundësi financimi për bizneset e reja.

FOTO GALERI
1/6

Top Channel