Britani, në pritje të rokadës kryeministrore mes Cameron dhe May

13/07/2016 00:00

David Cameron doli nga “Downing Street” për herë të fundit si kryeministër gjatë kësaj të mërkure, ndërsa Theresa May është ende në pritje për ta zëvendësuar atë. Cameron është duke u përballur me pyetjet e fundit si kryeministër në Dhomën e Përfaqësuesve, përpara se t’i drejtohet “Buckingham Palace” për t’i dorëzuar dorëheqjen e tij Mbretëreshës Elizabeth.

Duke folur për “Daily Telegraph”, ai theksoi se “teksa largohem, shpresoj që populli të shohë një vend edhe më të fuqishëm. Ka qenë një privilegj për mua të shërbeja për vendin që dashuroj”.

Pasi të marrë postin e kryeministres, zonja May do të ngarkohet me detyrën për të emëruar edhe kabinetin e saj qeveritar. Sekretarja e Brendshme në detyrë, aktualisht 59 vjeç, ishte e vetmja kandidate e mbetur në garën për udhëheqësinë e konservatorëve, pas tërheqjes së Andrea Leadsom gjatë së hënës.

Gara nisi kur Cameron, i cili ka qenë kryeministër i Britanisë që prej vitit 2010, njoftoi se do të dorëhiqej pas humbjes që pësoi në referendumin e qershorit mbi qëndrimin në BE apo largimin prej saj.

Për “Telegraph”, Cameron ka thënë:

“Erdha në ‘Downing Street’ për t’u përballur me problemet e vendit tonë dhe për të udhëhequr popullin tim drejt vendimeve të vështira, në mënyrë që së bashku të ecnim drejt kohëve më të mira. Teksa largohem sot, shpresoj që populli britanik ta shohë edhe më të fortë këtë vend, ekonominë edhe më të mirë, e gjithashtu të kenë edhe më shumë mundësi për të jetuar më mirë”.

Që prej mesditës, Cameron, i cili ka thënë se do të vazhdojë të mbetet deputet i zonës së Witney Oxfordshire, po përballet me pyetjet e fundit si kryeministër, kjo për herën e 182-të dhe të fundit, si dhe e 319-a në total si udhëheqës i konservatorëve.

Më vonë, pasi ai të ketë çuar dorëheqjen te Mbretëresha, May do të duhet të vizitojë “Buckingham Palace”, aty ku do të pranojë ofertën e monarkes për të formuar një qeveri të re për drejtimin e vendit. Zonja May do të rikthehet në “Downing Street No10” si kryeministrja e dytë femër në historinë e Britanisë, duke ndjekur gjurmët e Margaret Thatcher.

Theresa May pritet t’i adresohet shumë shpejt kombit, përpara se të futet në zyrën e saj dhe të nisë punën për hartimin e kabinetit, ndërsa emërimet kryesore priten të mësohen që nga mbrëmja e sotme. Disa furgonë shkarkimi janë parë jashtë “Downing Street” ditën e martë, kur ministrat e kabinetit të Cameron i bënë nderimet e fundit si kryeministër gjatë mbledhjes së fundit të qeverisë.

Top Channel