Kina refuzon Arbitrazhin e Hagës, pretendon zonë të mbrojtjes ajrore mbi ishujt detarë

13/07/2016 00:00

Kina pretendon se ka të drejtën e krijimit të një zone të mbrojtjes ajrore mbi territoret e kërkuara prej saj në detin e Kinës Jugore. Pavarësisht reagimeve të shumta që pasuan vendimin e Gjykatës së Arbitrazhit të OKB-së, mes të cilave dhe apeli i Australisë drejtuar udhëheqjes kineze që të pranojë përfundimet e organizmit ndërkombëtar, Pekini vazhdon të mbetet i palëkundur në refuzimin e tij.

“Sovraniteti territorial i Kinës dhe të drejtat e saj detare nuk do të preken në asnjë lloj mënyrë nga ky vendim”, deklaroi Presidenti Xi Jinping, duke i konsideruar kështu të mbyllura diskutimet mbi këtë çështje.

Zëdhënësi i Këshillit shtetëror të Informimit, Guo Ëeimin, dhe zëvendësministri i Jashtëm, Liu Zhenmin, e bënë të qartë se vendi do të marrë çdo masë që e konsideron të nevojshme për mbrojtjen e interesave të tij.

“Vendimi i Gjykatës së Arbitrazhit është një farsë e qëllimshme politike, që bëhet në emër të ligjit. Ishujt e detit të Kinës Jugore kanë qenë gjithmonë pjesë e territorit të Kinës, të cilës tani i lind e drejta të krijojë atje një zonë të mbrojtjes ajrore”, tha Guo Ëeimin, zëdhënës i Këshillit shtetëror të Informimit në Kinë.

“Mos e ktheni detin e Kinës së Jugut në fillesën e një lufte. Kina synon ta bëjë atë një det paqeje, miqësie dhe bashkëpunimi”, tha Liu Zhenmin, zv.ministër i Jashtëm.

Gjykata e Arbitrazhit në Hagë doli një ditë më parë në përfundimin se “Pekini nuk ka të drejtë historike” ndaj këtij rajoni të madh detar.

Tensioni mes Koreve, Jugu: Ja ku do të dislokohet sistemi “THAAD”

Tensionet vazhdojnë edhe në një pjesë tjetër të rajonit. Koreja e Jugut bëri publike zonën ku do të dislokohet sistemi i mbrojtjes raketore “THAAD”, lëvizje kjo që zemëroi Kinën e shtyu Penianin të kërcënojë me “shpagim”.

Edhe pse vendosja e njësive në fjalë, – siç pohojnë Seuli e Uashingtoni, – synon të shtrëngojë darën ndaj Veriut të izoluar komunist, Pekini druhet se sistemi i radarëve do të jetë në gjendje të gjurmojë aftësitë e tij ushtarake. Kundër një lëvizjeje të tillë shprehet edhe Rusia.

Top Channel