Britani, si kryeministre May do të duhet të marrë edhe “vendimin e pas vdekjes”

13/07/2016 00:00

Pasi të ketë marrë zyrtarisht çelësat e Kryeministrisë, Theresa May do të duhet të marrë vendimin më të rëndësishëm të jetës së saj, që ajo kurrë nuk do të donte ta dëshmonte. Pasi të jetë informuar nga Sekretari i kabinetit, Këshilltari i Sigurisë Kombëtare dhe Shefi i Shtabit të Mbrojtjes, kryeministrja e re britanike do të mësojë vendndodhjen sekrete të nëndetëseve të saj me armë bërthamore.

Tony Blair thuhet se është “zverdhur në fytyrë”, kur është ulur në karrigen e kryeministrit dhe dëgjoi për përgjegjësinë që i kishte rënë mbi shpatulla. Në mënyrë më të detajuar, kryeministrja e re do të mësojë se ku ndodhen saktësisht nëndetëset bërthamore, normalisht në patrullim diku në Atlantikun verior, por që me përjashtim të një grushti njerëzish, askush nuk e di vendndodhjen e tyre të saktë, madje as marinarët në bordin e tyre.

Pas kësaj, kryeministrja do të duhet të vendosë sesi do të donte ajo, që ushtria britanike të reagonte në rast të një sulmi eventual bërthamor. Udhëzimet e saj do të zbatohen vetëm nëse ajo personalisht, por edhe i tërë kabineti i saj qeveritar, do të jenë eliminuar fizikisht nga ky sulm hipotetik.

Theresa May do t’i jepen 4 opsione: të hakmerret; të mos bëjë asgjë; t’i vendosë nëndetëset nën kontrollin e flotës detare aleate amerikane apo flotës detare mbretërore australiane; dhe e fundit, të veprohet si ta gjykojë më të drejtë komandanti i nëndetëses.

Kryeministrja do të lihet e vetme në zyrë që të vendosë dhe, pasi të ketë marrë vendimin, ajo do të shkruajë me shkrim dore 4 letra për 4 komandantët e nëndetëseve bërthamore “Vanguard”. Ato do të dërgohen në këto nëndetëse dhe do të mbahen të kyçuara.

Letrat e kryeministrit Cameron, që kur ai mori postin, do të digjen pa u hapur. Vetëm nëse ai dëshiron t’ia tregojë publikut, përndryshe askush nuk ka mundësi të mësojë të vërtetën. Vendimi që merr kryeministri i radhës është një vendim, që nuk krahasohet me asnjë tjetër për nga natyra dhe pasojat.

Top Channel