Tragjedia e trenave në Puglia, vijojnë kërkimet për të tjerë trupa

13/07/2016 00:00

Me dhjetëra punonjës të ndihmës vazhdojnë kërkimet për të mbijetuar në mbetjet e vagonëve të copëtuar nga përplasja ballore e dy trenave të pasagjerëve në jug të Italisë. Plot 27 vetë humbën jetën në aksidentin tragjik, shkaqet e të cilit nuk janë zbardhur ende.

Dy trenat po udhëtonin me shpejtësi të lartë në të njëjtin binar të linjës hekurudhore në veri të Barit. Regjistruesi i të dhënave është rikuperuar tashmë, e hetuesit e konsiderojnë të një rëndësie kyçe informacionin që do të mund të përftohet prej tij.

Kërkimet kanë vazhduar përgjatë gjithë natës, por për momentin as janë diktuar e as janë nxjerrë më njerëz të tjerë. Ndërkohë, 50 vetë po marrin trajtim mjekësor në spital, një pjesë e tyre janë në gjendje të rëndë.

Për operacionin e kërkimit, në vendin e ndodhur pranë qytetit të Andrias, në rajonin jugor të Pulias, është angazhuar dhe ushtria. Kryeministri Matteo Renzi vizitoi zonën e përplasjes fatale të martën e premtoi hetim të plotë mbi ngjarjen. Bilancin e vdekjeve, ai e cilësoi si “të papranueshëm”.

Për momentin, pista kryesore, sipas gazetes “La Republicca” mbetet ajo e një gabimi njerëzor. Dy trenat, që lëviznin në të njëjtën linjë hekurudhore, por në drejtime të kundërta, kishin secili nga 4 vagonë. Aq e fuqishme ishte përplasja, sa prej tyre nuk ka mbetur asgjë që të kujton formën e mëparshme.

Nuk dihet ende me siguri sa njerëz ka pasur në trena, pasi nuk ka një listë pasagjerësh. Mëngjesin e kësaj të mërkure nisi procesi i identifikimit të viktimave, mes të cilëve ka shumë të rinj.

Top Channel