OKB: Të ngrihet alarmi për HIV/AIDS

13/07/2016 00:00

Diskutimi se rreziku nga virusi HIV/AIDS ka përfunduar ishte i parakohshëm. Ky është përfudimi i raportit më të fundit të Kombeve të Bashkuara. Duhet të ngrihet alarmi, tha drejtori ekzekutiv i OKB-së për HIV/AIDS, Michel Sidibe.

Ai shtoi se tani  ka një rritje të numrit të të infektuarve në disa zona të globit dhe në të ardhmen do të jetë i pamundur kontrolli mbi to, ndaj duhet veprim i menjëhershëm.

Gati dy milionë njerëz infektohen me HIV çdo vit, thotë raporti i publikuar një javë para Konferencës Ndërkombëtare të HIV/AIDS në Durban. Nëse kjo vazhdon, do të jetë e pamundur përmbushja e qëllimit të OKB-së për “çrrënjosjen” e sëmundjes së shekullit deri në vitin 2030.

Edhe pse ka shumë mënyra për të parandaluar infeksionin, shifrat e të prekurve me HIV/AIDS nga periudha 2010 dhe 2015, ka pasur një rritje me 57% në vit në Evropën Lindore dhe Azinë Qendrore. Trendi është një goditje për ata që kishin parashikuar se epidemia do të ishte drejt fundit.

Në të gjithë botën vetëm tre në 10 vajza adoleshente dhe gra kanë njohuri të plotë mbi HIV, thotë raporti. Për shumë ekspertë të shëndetësisë është e rëndësishme që shqetësimet mbi këtë infeksion vdekjeprurës të mbeten në mënyrë që të vihen në lëvizje mekanizmat për të parandaluar rrezikun e përhapjes së tij.

Top Channel