Përplasja e dy trenave, Renzi: Do të gjejmë përgjegjësin

13/07/2016 00:00

Kryeministri italian, Matteo Renzi, vizitoi qytetin ku të paktën 25 persona humbën jetën si pasojë e një përplasjeje kokë më kokë të dy trenave mbi të njëjtin binar. Shumë të tjerë janë lënduar, ndërsa disa janë në gjendje të rëndë.

Renzi urdhëroi një hetim zyrtar mbi aksidentin, që ndodhi të martën në mëngjes, dhe shtoi se nuk do të ndalen derisa të ketë një shpjegim të qartë të gjithë asaj çfarë kishte ndodhur në Pulja.

“Dua të shpreh ngushëllimet e mia për të gjithë familjet e viktimave dhe dua ta dini që kam urdhëruar një hetim për të gjetur përgjegjësin e kësaj tragjedie. Mendoj se duhet të kemi një pasqyrë të qartë të asaj çfarë ndodhi. Nuk do të ndalojmë derisa ta kuptojmë se çfarë ngjau në të vërtetë”, u shpreh Renzi.

Përplasja ndodhi në orën 11 e 30 së të martës në kushte të mira moti, dhe ende është e paqartë se çfarë e ka shkaktuar atë. Një prokuror tha se ishte shumë herët për të spekuluar lidhur me shkaqet edhe pse sipas tij me shumë gjasa bëhej fjalë për një gabim njerëzor.

Nuk përjashtohet as mundësia e një defekti teknik. Një prej trenave vinte nga Andria, ndërsa tjetri nga Corato, dhe të dy po udhëtonin me shpejtësi të lartë. Secili prej tyre kishte 4 vagonë.

Top Channel