Degradimi i Gascoigne, i dehur dhe lakuriq

12/07/2016 00:00

Dikur ishte një prej futbollistëve më të dashur të tifozëve anglezë, madje fanelat e tij shiteshin më shumë se çdo tjetër në epokë, për shkak të gjesteve unike në fushat e lojës.

Por sot, Paul Gascoigne është sinonimi i shpërdorimit të milionave të fituar nga sporti më popullor në botë, përmes abuzimit me drogërat e forta dhe alkoolin. Imazhet e fundit të ish-mesfushorit të “3 Luanëve” ndoshta do të bëjnë të qajnë tifozët më nostalgjikë.

Gazza është shfaqur gjysmë lakuriq duke zbritur nga një taksi në zonën e Pullit, me një veshje që i zbulonte edhe pjesët intime. Ish-futbollisti nuk ishte në gjendje të qëndronte në këmbë dhe sipas dëshmitarëve, bleu një shishe xhin dhe qetësues të fortë, koktejl që shpesh i ka rrezikuar jetën.

Poshtërimi publik është problemi më i vogël për Paul Gascoigne, pasi mjekët që e kanë mbikqyrur në terapitë kundër drogës kanë nënvizuar gjendjen e rënduar shëndetësore të ikonës angleze. Ish-futbollisti i “3 Luanëve” nuk po arrin dot të fitojë ndeshjen më të rëndësishme të jetës, betejën kundër alkoolit.

Pak muaj më parë, Paul Gascoigne kishte thënë se ishte në rrugën e duhur të rikuperimit, por nga imazhet tronditëse të “The Sun”, duket se ish-futbollisti po shkon drejt një rruge fatale për jetën.

FOTO GALERI
1/7

Top Channel