Milionat e kinezëve joshin italianin Pelle

12/07/2016 00:00

Milionave të biznesmenëve kinezë vazhdojnë t’i binden disa nga protagonistët më të njohur të futbollit me Superligën e vendit aziatik që tashmë mund të krenohet se është kthyer në shesh pushimi luksoz. I fundit që është zyrtarizuar në një skuadër kineze është sulmuesi i kombëtares italiane, Graziano Pelle.

Southampton ka konfirmuar transferimin e Graziano Pelle te Shandong Luneng, formacioni modest në pretendime, por tejet i fuqishëm në financa. 30-vjeçari iu bashkua ekipit anglez nga Feyenoord dy vite më parë dhe arriti të ishte i rëndësishëm për ta, duke i ndihmuar të kapë vendin e gjashtë dhe të shtatë. Pelle ishte një prej lojtarëve më të mirë të përfaqësueses italiane në “Euro 2016”, duke shënuar dy gola dhe tashmë do t’i bashkohet Shandong duke përfituar 15 milionë euro në sezon.

Italiani u bë lojtari i pestë që largohet nga klubi anglez gjatë merkatos së verës, pas Victor Uanyama dhe Sadio Mane. Pelle ka nënshkruar një kontratë 3-vjeçare për kinezët.

Qendërsulmuesi nga Pulja përballet me një mision të vështirë për të ndryshuar fatet e ekipit kinez, që aktualisht është në vendin e parafundit në kampionat.

Top Channel