FSHF tërheq vëmendjen: “Ngërç” formalizimi në futboll

12/07/2016 00:00

Në prag të nisjes së përgatitjeve për sezonin e ri në futbollin shqiptar FSHF i ka tërhequr vëmendjen klubeve për procesin e licencimit dhe të formalizimit.

Duke e konsideruar këtë proces, si një nga prioritetet më të rëndësishme të punës së saj, nëpërmjet Sektorit të Licencimit, qeveria e futbollit shqiptar ka kërkuar implementimin e kërkesave të UEFA-s që kanë si objektiv rritjen dhe përmirësimin e standardeve të menaxhimit e organizimit të klubeve.

Sipas FSHF-së, kështu do të shkohet drejt standardizimit të infrastrukturës, për të krijuar kushte të përshtatshme për lojtarët e spektatorët dhe garantohet trajnimi dhe përkujdesja për talentet e reja. Nëpërmjet tij, kryhet edhe monitorimi i respektimit të rregullave financiare në kompeticione.

Plotësimi i dokumentacionit përkatës për këtë proces, sipas njoftimit që klubet kanë marrë në muajin maj më datë 19, duhet të përfundojë më datë 15 korrik. Komisioni i Licencimit, i cili ka nisur menjëherë nga puna, do të ndjekë nga afër këtë proces.

Federata Shqiptare e Futbollit kërkon të informojë klubet, opinionin sportiv se e quan shumë të rëndësishëm, formalizimin e futbollit shqiptar. Vetëm në këtë mënyrë, futbolli do të garantojë të ardhmen dhe vazhdimësinë e rezultateve pozitive. Kjo duhet të realizohet në parametrat e kërkuar dhe sipas standardeve të vendosura nga UEFA.

Top Channel